Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, mund ta festojë të dielën titullin e Serie A me Napolin. Napolit i duhet ta fitojë ndeshjen ndaj Salernitanas dhe të shpresojë në humbjen e Lazios nga Interi. Deri në fund kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar. Napoli është lider me 78 pikë, kurse Lazio në vendin e dytë ka 61 pikë.
Në fakt, Napoli e ka të caktuar të shtunën ta zhvillojë ndeshjen e xhiros së 32-të në shtëpi, kurse Inter – Lazio luhet të dielën.
Këshilltari i bashkisë së Napolit, Gaetano Simenone, ka kërkuar që ndeshja Napoli – Salernitana të shtyhet për të dielën, ditën kur luhet ndeshja në mes të Interit dhe Lazios.
Presidenti i Serie A, Lorenzo Casini, ka thënë se ndeshja e Napolit mund të luhet të dielën vetëm nëse ka arsye për të parandaluar ndonjë incident.




























