Te Manchester City janë pajtuar se portugezi Bernardo Silva nuk do të jetë pjesë e ekipit për sezonin e ri. Në fakt, City ka pranuar kërkesën e Bernardos që të largohet në verë dhe tashmë ia ka caktuar çmimin atij, ka raportuar “The Sun” të enjten.

Për kartonin e 28-vjeçarit, i cili po kërkohet nga Real Madridi, PSG-ja e Barcelona, City po kërkon hiq më pak se 80 milionë euro. Bernardo ka kontratë me Cityn deri në vitin 2025, ndërsa është pjesë e ekipit prej vitit 2017, kur iu bashkua nga Monaco.

Ai edhe këtë edicion ka vazhduar me paraqitje të mira te City, ekip me të cilin ka fituar katër tituj kampioni të Anglisë. Në 48 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, Bernardo ka 5 gola e 7 asistime deri më tani.