Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda është shprehur jashtëzakonisht i zhgënjyer pas humbjes nga Rumania me rezultat 2-0.
Ai ka thënë pas ndeshjes se ishte shumë e vështirë të jepet maksimumi pas gjithë asaj situatë të rëndë të krijuar nga tifozët vendas të cilët kanë ofenduar lojtarët e Kosovës si dhe shtetin e Kosovës.
Për më tepër, Vojvoda ka thënë se ishte i gabueshëm vendimi për t’u kthyer në fushë pas ndërprerjes së ndeshjes për shkak të banerit nacionalit ku shkruhej “Kosova është Serbi”.
Ai përmes një reagimi në “Istagram” ka thënë se Rumania duhet të ndihet e turpëruar për atë që ndodhi në Bukuresht, ndërsa shprehi krenarinë e tij që është shqiptar.
“Rumani, turp për ju dhe për mënyrën se si mendoni. FIFA të reagojnë në mënyrë që respekti të dominojë në lojë. Krenaria jonë më e madhe është që jemi shqiptar.”, ka shkruar Vojvoda.
Pas kësaj humbje, Kosova po thuajse i ka humbur të gjitha gjasat për kualifikim në Euro 2024.



























