Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani ka lëshuar pikë të rëndësishme në Ligën e Konferencës. Ekipi nga Suhareka, të enjten mbrëma është mposhtur si vendas nga Astana e Kazakistanit. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, përfundoi me rezultatin 2:1 në të mirë të ekipit mysafir.
Kjo përballje i takoi xhiros së tretë të Grupit C, në të cilin Ballkani regjistroi humbjen e dytë dhe mbetet në kuotën e tri pikëve.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se ai dhe lojtarët që i drejton, nuk kanë pse ta ulin kokën pas disfatës 2:1 në “Fadil Vokrri” të enjten mbrëma.
“Pas gjithë fitoreve në ‘Fadil Vokrri’ erdhi një humbje që është e pritshme në futboll. Humbja erdhi në momentin tonë më të mirë. Nuk është dramë e madhe sepse kemi bërë shumë. Por humbja erdhi edhe për meritë të kundërshtarit. Ishte ditë jo e mirë për ne për mënyrën se si humbnim topat në pasimin më të thjeshtë. Shumë aksione të kundërshtarit u ndërtuan nga gabimet tona. Natyrishëm që nuk kemi pse ta ulim kokën sepse kemi bërë gjithë atë histori. Ndoshta nuk ishte ky momenti për të humbur. Ne bëmë gabime në pasime të thjeshta dhe kundërshtari e shfrytëzoi duke marrë kontrollën e lojës. Por, sot jam krenar me futbollistët e mi, ashtu siç kam qenë edhe para një jave, edhe para dy jave”, tha fillimisht Ilir Daja për “ArtMotion”.




























