Pas barazimit 0-0 me Real Sociedad, në funksion të shortit të 1/8 finale të Champions League, Simone Inzaghi është i hidhëruar për përfundimin e grupit në vendin e dytë, por nuk e bën dramë: “Shorti do të jetë më i vështirë tani, por nuk dua të shoh fytyra të vrenjtura.

Ne e përfunduam grupin si të pamposhtur dhe jemi kualifikuar sërish në 1/8 finale. Po kështu, kemi siguruar biletën për të marrë pjesë në Botërorin e ri për Klube. Donim të fitonim dhe u përpoqëm deri në fund, por nuk ia dolëm. Luajtëm kundër një kundërshtari të denjë. Patëm rastet më të rrezikshme, por nuk arritëm t’i materializonim”.

Pastaj disa konsiderata mbi rotacionin në formacion dhe zgjedhjet taktike: “Unë u përpoqa t’i alternoja dhe pushoja disa lojtarë, që duhej ta bënin këtë, si Lautaro dhe Barella, të cilët gjithashtu luajtën shumë me kombëtaret. Jemi në dhjetor dhe duhet të shkojmë sa më mirë në qershor. Ndonjëherë 35 minutat e fundit bëjnë diferencën, megjithatë jam i kënaqur me ata që luajtën nga fillimi dhe ata që hynë në lojë gjatë ndeshjes”.

“Ne kishim raste që mund t’i kishim shfrytëzuar më mirë, – vazhdoi trajneri i zikaltërve. – Jam i lumtur, e dinim se do të vuanim dhe nuk pësuam asgjë, ndryshe nga ndeshjen e parë me Real Sociedad. Skuadra e mbuloi mirë fushën, pastaj meritat shkojnë edhe te kundërshtari për këtë barazim. Ne nuk i japim përparësi kampionatit, patëm një garë të shkëlqyer në grup, pa asnjë humbje. Kjo nuk është e lehtë në Europë.

Mos harroni se Real Sociedad vuri në vështirësi Real Madridin dhe Barcelonën, po flasim për një ekip të shkëlqyer. Edhe Interi im nuk ishte ndryshe. Në ndeshjen e parë ata do të kishin merituar më shumë, këtë mbrëmje ne kemi merituar më shumë”.