Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi, ishte lënduar në përballjen e muajit të kaluar të Kosovës ndaj Izraelit në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Më pas, stafi mjekësor i klubit spanjoll konstatoi se “Pirati” do të mungonte 4-6 javë. Mirëpo, shërimi i tij nuk shkoi sipas planeve dhe parashikimeve. Tash, mediumi spanjoll “OKDiario” raporton se klubi i La Ligas nuk pret që futbollisti prizrenas të rikthehet para vitit 2024.
Lojtari do të mungojë sigurisht në ndeshjen e fundit të vitit kundër Osasunas, pasi lojtari kosovar nuk i është bashkuar ende ekipit në ushtrime.
Majorka do ta presë ish-futbollistin e Rizesporit, Fenerbahçes e Lacios që nga fillimi i Vitit të Ri. Më saktësisht, Muriqi mund të rikthehet në lojën e parë të vitit 2024 në “Santiago Bernabeu” kundër Real Madridit, e paraparë të zhvillohet më 3 janar. Deri tash, 29 vjeçari i ka humbur ndeshjet ndaj Atletiko Madridit, Kadizit, Alavesit dhe Sevilja-s.
Gjithashtu, nuk ishte as në lojën e “Copa del Rey” kundër Valle de Egues, e s’do të jetë as ndaj Almerias dhe Osasunës. Majorka po e vuan mungesën e lojtarit kryesor, i cili ka qenë vendimtar në sezonet e fundit, e që trajneri Havier Aguirre s’mund të llogarisë në të në total prej shtatë ndeshjesh.




























