Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha, do ta bëjë hapin e madh në karrierë. Hoxha do t’i bashkohet gjigantit kroat të futbollit, Dinamo Zagrebit. 

E përditshmja kroate, Jutarnjlist, ka shkruar se Hoxha është një lojtar që Dinamo nuk ka pasur që një kohë të gjatë.

“Te Arbër Hoxha, Dinamo do të marrë përforcime që nuk i ka prej kohësh. Ai është një lojtar që trajneri i bluve Sergej Jakiroviç e donte në dhomën e tij të zhveshjes për disa arsye dhe ndoshta më e rëndësishmja është se ky kosovar mund të bëjë diferencën menjëherë në krahun e majtë.

Hoxha ka kohë që është në formë të mirë. Ai është një profesionist i jashtëzakonshëm, kujdeset për veten dhe trupin e tij, i është përkushtuar plotësisht futbollit dhe nuk është i prirur për lëndime.

Ai tërhoqi vëmendjen me cilësitë e tij që rrallëherë i gjejmë ‘në paketim’. Hoxha ka shpejtësinë e nevojshme për një anësor, është në gjendje të driblojë pothuajse çdo lojtar kundërshtar në situata ballë për ballë dhe ka një goditje të fortë dhe të saktë.

Përveç gjithë kësaj, është e rëndësishme të theksohet se ai nuk është i panjohur as në fazën e mbrojtjes. Hoxha do të kryejë padiskutim të gjitha detyrat në mbrojtje, do të përcjellë mbrojtësin kundërshtar dhe nëse është e nevojshme do të mbulojë edhe shokun e skuadrës nga pozicioni i mbrojtësit të majtë.

Si lojtar i Dinamos, Hoxha sigurisht që do të bëhet më interesant për kombëtaren shqiptare, pasaportën e së cilës e ka marrë së fundmi, pikërisht për arsye futbolli. Nuk është e pamundur që Hoxha të luajë për Shqipërinë kundër Kroacisë në Kampionatin Evropian verën e ardhshme…