Rivalet do ta organizojnë së bashku Kampionatin Evropian U21 2027, disa vjet pas ngjarjes që shkaktoi incident diplomatik
Ishte shumë më tepër se një moment futbolli, kur në një natë në Beograd që i ngjante ëndrrës më të gjatë me ethe, ferri shpërtheu në një ndeshje kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Loja “e dronit” e tetorit të vitit 2014 është famëkeqe dhe kujtimi i përjetshëm është i lojtarëve të Shqipërisë që po iknin drejt tunelit në stadiumin e Partizanit.
Ndeshja shkaktoi incident diplomatik. Vendi nikoqir thirri menjëherë ambasadorin e vendit fqinj për të diskutuar për kaosin e shkaktuar pasi flamuri i “Shqipërisë së Madhe” ishte lëshuar në fushë gjatë pjesës së parë. Faji “fluturoi” në çdo drejtim që mund të imagjinohej dhe ishte një rast studimor se si sporti mund të përforcojë armiqësitë e vjetra në mënyrë të thellë, thellësisht të rëndësishme.
Në fund të fundit, ndoshta ishte një ëndërr.
Të martën UEFA njoftoi se dy vendet do ta organizojnë së bashku Kampionatin Evropian U21 në vitin 2027, duke konfirmuar një vendim që u mor efektivisht vitin e kaluar, pasi Belgjika dhe Turqia hoqën dorë nga kandidatura.
Ekziston një kënaqësi e justifikueshme në organin drejtues të futbollit evropian, duke pasur parasysh pengesat që duhej të kaloheshin. Linja, si përsëritet nga presidenti i FSHF-së dhe nënpresidenti i UEFA-s, Armand Duka, është se ngjarja do të jetë “katalizator për thyerjen e barrierave, për rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe krijimin e një të ardhmeje më pozitive për popullin e Shqipërisë dhe Serbisë”.
Pjesa e kandidimit, ashtu siç ishte, mund të ketë qenë pjesa e thjeshtë. Ishte befasi kur në maj të vitit të kaluar u njoftua për kandidaturën e përbashkët, pasi Shqipëria u këshillua se kandidatura e vetme nuk do të kalonte. Shqipëria e ka stadiumin më modern në regjion, ku u zhvillua finalja e Ligës së Konferencës në vitin 2022, por do të vuante për të organizuar gjithë ngjarjen.
Paraqitja e papritur e Serbisë në skenë ofroi një zgjidhje dhe u inkurajua nga figurat politike me prirje për të demonstruar lidhje më të fortë, pa përmendur lidershipin e UEFA-s të etur për të vënë në plan të parë rolin e futbollit në tejkalimin e të pakalueshmes.
![](https://i0.wp.com/varkosova.com/wp-content/uploads/2025/02/img_0970-1.jpg?resize=620%2C373&ssl=1)
Në vitin 2014 federatat përkatëse nacionale nuk ishin pajtuar as për detajet lidhur me shitjen e biletave për tifozët mysafirë. Tani ishin në një mendje për të organizuar së bashku një ngjarje të madhe.
Të tjerët megjithatë nuk janë shumë të prirë për të luajtur “familjet e lumtura”. Kur Duka tha në shtator se “nuk mendoj dhe nuk kam menduar kurrë se organizimi i Kampionatit Evropian mund të amnistojë atë që ka ndodhur”, ai iu referua një traume tjetër historike, luftës brutale të Serbisë në Kosovën e banuar kryesisht me shqiptarë, gjatë fundit të viteve 1990-ta.
Ai po u përgjigjej drejtpërdrejt protestave nga grupet e tifozëve, të cilët kishin shfaqur ndjenjat e tyre kur u bë publik lajmi për kandidaturën e përbashkët.
Anëtarët e “Tifozat Kuq e Zi”, grupi i tifozëve ultras me ndikim e që pretendon se i ka më shumë se 7000 pjesëtarë, hodhën ngjyrë të kuqe jashtë selisë së federatës shqiptare dhe shfaqën fotografi në lidhje me mizoritë e kryera në Kosovë.
“Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit”, shkruan në një prej postimeve të TKZ në rrjetet sociale.
Në ndeshjen e muajit nëntor ndaj Ukrainës në “Arena Kombëtare” në Tiranë, disa tifozë mbanin pankarta që dënonin organizimin e turneut dhe iu referuan sërish krimeve të luftës.
Lorik Cana, ish-kapiteni i Shqipërisë, që është me origjinë nga Kosova, e përshkroi planin e organizimit të përbashkët si “hap jo të duhur”.
Edhe pse ndjenjat janë më pak të forta te shqiptarët që nuk u prekën direkt nga lufta në Kosovë dhe mospajtimet për Euro 2027 kanë qenë më pak të theksuara në Serbi, do të mbetet shqetësimi se UEFA po luan me zjarrin, derisa ngjarja të përfundojë me sukses.
Vështirë se gjithë të përfshirët janë distancuar plotësisht nga ajo që u shfaq mbrëmjen fatale në Beograd. Shqipëria e kishte fituar atë ndeshje me rezultat zyrtar. Tifozët dhe lojtarët e dy vendeve vazhdojnë t’u japin përgjegjësve disiplinorë të UEFA-s dhembje koke me shkelje që bëhen duke përfshirë palën tjetër.
Shqipëria u ndëshkua për një sërë incidentesh në Euro 2024, duke përfshirë vendimin e sulmuesit Mirlind Daku për të bërtitur kundër Serbisë dhe për të bërë thirrje tjera nacionaliste me megafon, pas një ndeshjeje me Kroacinë. Serbia u gjobit në dhjetor pasi tifozët e saj u përpoqën të ndezin flamurin e Shqipërisë në një ndeshje kundër Zvicrës.
Lista e shkeljeve e dënimeve është e gjatë. Është vështirë të mendosh një garë evropiane në të cilin tensionet e nikoqirëve ishin kaq të freskëta.
UEFA do të përballet me një test serioz gjatë kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Serbia dhe Shqipëria ende mund të përballen me njëra-tjetrën, pavarësisht turpit të Beogradit. Shorti i ka bashkuar këtë herë në një grup që përfshinë edhe Anglinë. Ndeshja e parë është në Shqipëri më 7 qershor, para se Serbia të jetë nikoqire më 11 tetor.
Dy përfaqësueset u përballën një vit pas fiaskos me dron. Serbia fitoi 2:0 në Elbasan, nën masa të rrepta sigurie. Pjesa më e madhe e bulevardit qendror në Tiranë u mbyll kur ekipi i Serbisë, që po qëndronte në kryeqytet, doli për shëtitje para ndeshjes. Snajperët dukeshin nga stadiumi gjatë ndeshjes.
Gjithçka shkoi mirë dhe gjasat janë që e njëjta të ndodhë në qershor. Testi i madh mund të vijë katër muaj më pas. Çdo incident i madh do të paraqiste shumë pyetje të sikletshme lidhur me logjikën optimiste që qëndron pas Euro 2027.
Tani për tani, ata që planifikojnë ngjarjen shpresojnë të krijojnë platformë për suksesin e Evropianit. UEFA thekson përfitimet e mundshme të turizmit dhe infrastrukturës për të dy vendet dhe përmend potencialin e futbollit për të ndihmuar zbutjen e të kaluarës së trazuar.
Ndoshta është e drejtë.
Apo, ndoshta futbolli sërish e mbivlerëson rolin e tij si shërues. Nëse arrihet kjo, atëherë ngjarjet e vitit 2014 më në fund mund të zbehen nga kujtesa.