Drita e Gjilanit ka bërë ankesë zyrtare lidhur me ndarjen e drejtësisë në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës në futboll. Drita fitoi me penallti ndaj Dukagjinit, të mërkurën.
Por gjilanasit janë ndarë të pakënaqur me referim dhe i janë drejtuar zyrtarisht Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe komisionit për vlerësimin e gjyqtarëve.
Ndeshjen e drejtoi Mervan Bejtullahu, që është caktuar me short. Faktin që Bejtullahu ishte arbitër, Drita e ka vlerësuar të çuditshëm.
Klubi gjilanas pretendon se ky gjyqtar e ka dëmtuar rëndë vitin e kaluar. Te Drita kanë lënë të kuptohet se kanë pritur që Bejtullahu sërish t’i dëmtojë.
“Sjelljet e tij prej arroganti gjatë gjithë ndeshjes kanë bërë që lojtarët tanë dhe stafi teknik mos të bëjnë punën e tyre në mënyrën më të mirë. Për gati çdo veprim jemi ndëshkuar, ndërsa vonesat e stërzgjatura nga ekipi kundërshtar nuk janë vërejtur fare”, shkruan ndër të tjera në letrën e Dritës.
Drita e ka quajtur “kamikaz” dhe të manipuluar Bejtullahun.
Drita ka ankesa edhe ndaj gjyqtarit të katërt, Gramos Shala. Drita ka kërkuar që Bejtullahu e Shala të mos referojnë më ndeshje të kësaj skuadre.
“Indinjimi i adhuruesve të klubit tonë është tejet i madh dhe për të mos ardhur deri te më e keqja ky vendim duhet të merret menjëherë. Mervan Bejtullahu dhe Gramos Shala janë të padëshiruar në qytetin e Gjilanit dhe për klubin tonë”.