Klubi turk i futbollit, Fenerbahçe, ka njoftuar të premten se ka ngritur padi kundër rivalit, Galatasarayt, për “sulm ndaj të drejtave personale” të trajnerit Jose Mourinho.

Galatasaray akuzoi Mourinhon për komente raciste pas derbit të Stambollit të zhvilluar të hënën. Nga Galata thanë se ai kishte përdorur “retorikë çnjerëzore”, pasi portugezi iu referua stolit të ekipit kundërshtar me “duke kërcyer si majmunë”.

Fenerbahçe e hodhi poshtë akuzën dhe tha se komentet “u morën qëllimisht tërësisht jashtë kontekstit dhe u shtrembëruan në mënyrë mashtruese”.

Të premten Fenerbahçe bëri hap tutje duke njoftuar se ka nisur veprime ligjore për të rikuperuar dëmin ndaj Mourinhos. Klubi vlerëson se për dëminë e shkaktuar dëmshpërblimi duhet të jetë 52 mijë dollarë.

“Dëshirojmë të njoftojmë publikun se një padi për dëmshpërblim moral prej 1 milion e 907 mijë lira turke është ngritur kundër klubit sportiv Galatasaray nga avokatët e klubi Fenerbahçe, për shkak të sulmit ndaj të drejtave personale të trajnerit tonë Jose Mourinho”, shkruan në komunikatë.

Shifra duket të jetë referencë për vitin e themelimit të klubit, 1907. Ky numër është edhe në stemën e klubit.

Galatasaray tha këtë javë se Mourinho kishte lëshuar vazhdimisht deklarata nënçmuese drejtuar popullit turk dhe synonte të fillonte procedimin penal në lidhje me “deklaratat raciste” të bëra nga trajneri i njohur portugez.

Federata e Futbollit e Turqisë të enjten e suspendoi Mourinhon për katër ndeshje dhe e gjobiti me 44 mijë dollarë për komentet e bëra për arbitrat turq pas ndeshjes me Galatasarayn.

Në konferencën për shtyp pas asaj ndeshjeje, Mourinho përshëndeti vendimi për të angazhuar arbitër të huaj, sllovenin Sllavko Vinçiq. E lavdëroi atë për paraqitje të nivelit të lartë.

Mourinho tregoi se kishte shkuar për ta parë arbitrin dhe për ta falënderuar pas ndeshjes. Kur e pa gjyqtarin e katërt, që ishte turk, Mourinho ka treguar se i është drejtuar atij me fjalët: “Nëse ju do të ishit arbitri, do të ishte fatkeqësi”.

Rivaliteti mes dy klubeve është shumë i madh, ndërsa Mourinho me deklaratat e tij vetëm i ka dhënë zjarr këtij rivaliteti.

Mourinho ka drejtuar klube të mëdha si Chelsea, Manchester United, Real Madrid e Inter. Vjet iu bashkua Fenerbahçes, pas periudhës te Roma.

Ai u gjobit dhe u pezullua në fillim të edicionit për qëndrime kundër gjyqtarëve turq dhe ligës turke.

Galatasaray është gjashtë pikë para Fenerbahçes së Mourinhos në garën për titull.