Kur klubi nga kryeqyteti gjerman, Hertha Berlini, ta vizitojë stadiumin “Ursapharm Arena”, do të jetë ndeshje e veçantë për të gjithë futbollistët e klubit të kategorisë së dytë gjermane, SV Elversberg.
Për një lojtar të Elversbergut, megjithatë, do të jetë ndeshje e ngjashme me derbi. Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, ka luajtur për rivalin e Herthas. Asllani ishte pjesë e të rinjve të Union Berlinit.
Ndeshja Elversberg – Hertha Berlin luhet të dielën nga ora 13:00. Elversbergu ka 36 pikë në vendin e shtatë, pas 23 ndeshjeve të luajtura. Lider është Hamburgu me 42 pikë. Hertha Berlini në pozitën e 14-të ka 26 pikë.
“Po, është ndeshje krejtësisht tjetër kur luaj kundër Herthas. Unë veçanërisht jam i motivuar”, thotë Fisnik Asllani.
22-vjeçari është i huazuar nga klubi i Bundesligës, Hoffenheimi, deri në fundin e edicionit. Por ka shfaqur formë të lartë në kategorinë e dytë gjermane. Në 22 paraqitje në të gjitha garat ka shënuar 12 gola dhe ka pesë asistime.
Asnjë futbollist tjetër 22-vjeçar i kësaj lige nuk i ka këto statistika dhe kjo zgjon dëshirën e klubeve elitare dhe atyre jashtë Gjermanisë që ta kenë Asllanin në skuadër. Një vit më parë gjërat dukeshin ndryshe. Në Hoffenheim, Asllani luajti kryesisht në ekipin e dytë, që bën gara në kategorinë e katërt. Në edicionin e kaluar ishte i huazuar te klubi elitar i Austrisë, Austria Vjena. Atje, pavarësisht se kishte disa shqetësime fizike, i shënoi katër gola në 16 ndeshje.
“Para edicionit nuk kisha ide se çfarë më priste në Elversberg. Trajneri Horst Steffen dhe drejtori sportiv Ole Book, më thanë se mbështeten tek unë. Edhe mesfushori me tipare sulmuese Nick Woltemade më rekomandoi të vija tek Elversbergu”, shpjegon Asllani në një intervistë për “Saarbrucker-Zeitung”.
Mediumi gjerman ka shkruar se nga e ardhmja e turbullt, Asllani është kthyer në sulmues që tashmë vlen miliona.
“Është vërtetë çmenduri ajo që ka ndodhur në gjashtë muajt e fundit. Do të doja të kisha shënuar edhe tetë apo nëntë gola në gjithë sezonin”, thotë futbollisti që u lind në Berlin.
Asllani përshkruhet si futbollist që jep çdo gjë në seancat stërvitore dhe në çdo ndeshje. Ai bën edhe stërvitje shtesë dhe i shikon videot e sulmuesve më të mirë. Ai jep edhe arsye të tjera për sekretin e suksesit.
“Horst Steffen dhe Ole Book kanë bërë gjithçka që kanë thënë. Trajneri i lë të gjithë të luajnë lojën e tyre. Nuk e di nëse diçka e tillë ndodh diku tjetër në futbollin profesionist gjerman. Ndihemi të lirë në fushë. Dhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, ne e kemi besimin e plotë. Kam qenë në gjendje ta zhvilloj tërë potencialin këtu dhe u rekomandoj gjithë të rinjve të vijnë tek Elversbergu”, thotë Asllani.
Pjesa më e bukur e gjithë edicionit të deritanishëm për Asllanin është shënimi i golit të parë në fitoren 2:0 në udhëtim te Fortuna Dusseldorfi.
“Nuk kam luajtur asnjëherë në praninë e 50 mijë shikuesve më herët. Pas golit kam vrapuar drejt tifozëve tonë. Ka qenë ndjenjë fantastike”.
Asllani dëshiron të shënojë sa më shumë gola dhe e liston si gjënë e tretë më të rëndësishme në jetën e tij, pas frymëmarrjes dhe familjes.
“Unë rrezikoj në lojën time. Mundohem të provojë dhe ndonjëherë gjërat nuk shkojnë mirë. Do të punoj më shumë në goditjet me kokë, por nuk jam lojtar që vrapon në zonë me mendimin se do të shënojë me kokë”, shpjegon 22-vjeçari.
Asllani nuk ka dashur të flasë për të ardhmen. Ai ka kontratë me Hoffenheimin deri në verën e vitit të ardhshëm.
“Mund të duket si përsëritje, por kjo nuk më intereson për momentin. Menaxherët dhe klubet duhet të punojnë në këtë. Unë mundohem të shënoj sa më shumë gola dhe, mbi të gjitha, të fitojmë kundër Herthas. Pas përfundimit të sezonit, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, thotë Asllani.
Ka mundësi që Asllani dhe Elversbergu të ribashkohen në të njëjtën ligë. Edhe pse, Asllani nuk do të dëshironte ta ketë Elversbergun kundërshtar.
“Me Hoffenheimin II thuajse gjithmonë kemi humbur nga Elversbergu. Ishte shumë i fortë dhe të gjithë ishim të frikësuar nga kjo skuadër. E kemi quajtur Real Elversberg. Të luash ndaj Elversbergut nuk është e lehtë”.
Asllani vlerësohet si e ardhmja e sulmit të Kosovës. Ai kishte pesë paraqitje me U17 të Kosovës, ndërsa ka luajtur edhe për U18 e U20 të Gjermanisë. Me Kosovën A debutoi në shtator të vitit të kaluar dhe ka pesë paraqitje në total.