Valon Berisha ka munguar vetëm në një ndeshje kampionale të LASK-ut austriak këtë edicion.

Në 18 paraqitje, Berisha ka dy gola e katër asistime.

Me LASK-un, mesfushori është paraqitur edhe në Ligën e Konferencës e po ashtu në garën për Kupë të Austrisë. Dhe është i kënaqur me paraqitjet që po i ka.

Në fundjavën e kaluar ai pësoi lëndim, por ka treguar se nuk bëhet fjalë për lëndim serioz.

“Te LASK-u jam duke kaluar shumë mirë personalisht. Nuk jam lojtar që më bëjnë përshtypje statistikat edhe pse kur shënon ose asiston është ndjenjë e mire personale. Jam lojtar që vetëm fitoren e preferoj. Formën e mirë e kam pritur pasi gjithmonë kur isha mirë me shëndet jam paraqitur mirë”, ka thënë Berisha për KOHËN, të premten. Ai ka konfirmuar se lëndimi nuk është serioz dhe se do të vazhdojë me ndeshje.

Kosova muajin e ardhshëm luan me Islandën. Dy ndeshjet i takojnë plejofit të Ligës së Kombeve.

Në shtator fillon kualifikimet për Kupën e Botës 2026.

Berisha pritet të jetë lojtar i rëndësishëm i përfaqësueses edhe në ciklin e ardhshëm kualifikues. Kosova është në grup me Zvicrën, Suedinë e Slloveninë.

“Besoj se gjasat për kualifikim janë të mira. Është një grup i fortë por me nivel pak a shumë të njëjtë. Mundemi të shënojmë fitore kundër çdo kombëtareje, por mundemi edhe të humbim. Besoj se është grup i hapur dhe mund të ndodh gjithçka”, ka shtuar mesfushori me përvojë.

32-vjeçari i ka 47 ndeshje e katër gola me Kosovën.