Carlo Ancelotti ka folur me respekt për Atletico Madridin dhe trajnerin e saj, Diego Simeone. Tekniku italian i Real Madridit pret dy ndeshje të forta me Atleticon, ndërsa është i bindur se skuadra çerekfinaliste e Ligës së Kampionëve do të caktohet vetëm në ndeshjen e dytë.

Reali e Atletico takohen të martën prej orës 21:00, në “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Ndeshja e kthimit është më 12 mars, në “Metropolitano”.
Kjo vlerësohet përballja më interesante e një të tetës së finales në Champions.

Atletico u kualifikua direkt në një të tetën e finales, si e pesta në fazën e ligës. Ndërkohë Real Madridi, që është kampion në fuqi, në një të tetën e finales kaloi përmes plejofit. Në plejof të fazës nokaut e eliminoi Manchester Cityn.

Real Madridi fitoi 3:2 në Manchester dhe 3:1 në “Santiago Bernabeu”.

“Kujtimi ynë i fundit në Bernabeu nga Champions është i veçantë dhe duam ta përsërisim atë. Do të ketë shumë dallim nga ndeshja me Manchester Cityn. Atletico është ekip shumë më vertikal, ndërsa Manchester City fokusohet më shumë në posedim. Gjithsesi kjo nuk do ta ndryshojë stilin tonë”, ka thënë Ancelotti në konferencë për shtyp, të hënën.

Ai ka thënë se e dinë që do të jetë ndeshje e fortë, kurse ndien se sfida do të vendoset në ndeshjen e kthimit.

“Nuk mund të mendojmë që të krijojmë epërsi të madhe nesër. Nuk është e mundur pasi rivali ynë po garon shumë mirë dhe ndeshja do të jetë e përafërt deri në fund”, ka shtuar Ancelotti.

Ai ka folur edhe për derbin e Madridit, duke thënë se gjithnjë ka qenë i fortë dhe se dy skuadrat vazhdimisht kanë luajtur ndeshje të forta.

“Atletico po ka edicion shumë të mirë në të gjitha garat. Kujtimi im i parë me Diego Simeonen është nga koha kur isha lojtar. Ai shënoi gol shumë të rëndësishëm në ndeshjen Juventus – Lazio dhe shënoi gol të rëndësishëm në një ndeshje të rëndësishme që vendosi garën në Serie A. Si trajner e respektoj shumë, për mënyrën se si e lexon lojën, përkushtimin që ka për ekipin në aspektin defensiv”, ka shtuar trajneri i Real Madridit.

Në konferencë për shtyp foli edhe Vinicius Junior. Ai ka thënë se ende po përjeton gjëra të jashtëzakonshme me fanellën e Madridit dhe se po e jeton ëndrrën.

“Shpresoj se mund të vazhdojmë të bëjmë këtë. Nesër do të jetë një ndeshje e madhe, pasi tifozët do të jenë me ne dhe lojtarët janë gati të luajnë ndeshje të madhe. Derbi do të jetë shfaqje e bukur. Presim gjithë stinorin për këto ndeshje të rëndësishme. Nuk kam luajtur ndaj Atleticos në Ligën e Kampionëve, kështu që jam shumë i entuziazmuar”, ka thënë Vinicius.

Në La Liga, Real Madridi ka humbur paksa hapin me Barçën e Atleticon.

Skuadra e Ancelottit humbi 2:1 nga Betisi të shtunën. Tani është e treta me 54 pikë. Barcelona i ka 57 e Atletico Madridi 56.

Me respekt për kundërshtarin foli edhe trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone.

“Është ndeshje me shumë respekt, ndaj një rivali të madh, që na respekton në të njëjtën mënyrë. Për qytetin e Madridit është spektakolare që dy ekipe madrilene përballen. Për Spanjën të ketë ekip në çerekfinale do të jetë fantastike po ashtu. Ne mund ta shijojmë këtë. Është moment shumë i rëndësishëm ndaj një rivali shumë të respektuar. Ne jemi të përgatitur për çdo gjë që vjen”, ka thënë Simeone.

Të martën janë edhe tri ndeshje të tjera të një të tetës së finales në Champions.

Nga ora 18:45 është ndeshja Clube Brugge – Aston Villa.

Në terminin prej orës 21:00 luhen edhe takimet Dortmund – Lille dhe PSV – Arsenal.