Tri xhudiste ishin në Grand Prix Upper Austria. Shtatë xhudistë ishin në Kupën Evropiane për kadetë në Antalya të Turqisë. Shtatë të tjerë ishin në Kupën Evropiane për seniorë në Podgoricë të Malit të Zi.
Kjo fundjavë ishte goxha e ngarkuar për xhudistët kosovarë. E suksesshme po ashtu.
Shumica e xhudistëve kosovarë kanë shënuar fitore. Katër xhudiste janë shquar, duke fituar edhe medalje.
Në Grand Prix Upper Austria, garë që u mbajt në Linz dhe ishte kryesorja e fundjavës, Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë, ndërsa Laura Fazliu fitoi medalje të bronztë. Kjo dyshe fitoi medalje edhe në Lojërat Olimpike të Parisit. Dhe ngjyra e medaljes ishte e njëjtë. Në Austri garoi edhe Laurinë Gashi, që e kishte përvojën e parë ndërkombëtare në nivelin e të rriturave. Zhvilloi luftë të fortë, por jo të mjaftueshme për fitore.

Për Distrinë e Laurën medaljet ishin të pritura. Ato tashmë janë xhudiste të konfirmuara dhe prej më të mirave në botë. Janë shpresë e madhe e Kosovës për medalje në Lojërat e ardhshme Olimpike “Los Angeles 2028”.
Në Podgoricë dhe Antalya u paraqitën xhudistët me potencial. Në Antalya, në garën për xhudistët më të rinj se 18 vjet, medalje bronzi fituan Blerina Gashi në kategorinë deri 44 kilogramë dhe Enise Zijade në kategorinë deri 57 kilogramë.

Blerina i fitoi dy luftërat e para me xhudisten nga Kazakistani. Humbi në gjysmëfinale nga një xhudisteje turke, ndërsa për medalje të bronztë e mposhti një xhudiste nga Azerbajxhani.
Enise Zijade i fitoi dy luftërat e para. U mposht në të tretën, ndërsa më pas në repesazh i arriti edhe tri fitore për medalje bronzi.
Në Antalya, Riad Kasapi i shënoi dy fitore, njëjtë si Milot Gashi. Besjana Gashi e kishte një fitore, kurse me një fitore u ndal edhe Sidorela Dodaj.
Në Podgoricë nuk u fituan medalje, ndërsa të angazhuar ishin kryesisht xhudistë të gjeneratës së re që po bëjnë hapat e para në nivelin e të rriturve.
Në Antalya ishin 448 xhudistë, ndërsa në Podgoricë 302. Në Austri garuan 416 xhudistë nga 52 shtete të ndryshme.

“Dy vajzat arritën rezultat shumë të mirë në Antalya. Por edhe të tjerët kishin nga disa fitore. Një fundjavë me tri gara, në tri fronte. Shumica e garuesve që u paraqitën janë me potencial. Kjo tregon se ka rritje të numrit të garuesve me potenciale në vendin tonë. Në Antalya gara ishte shumë e fortë. Për medalje, Enises sot i janë dashur pesë luftëra. Edhe Blerinës i janë dashur shumë fitore për medalje. Janë dy medalje me vlerë të madhe për ekipin tonë. Janë dëshmi që po vazhdohet puna e madhe dhe që vazhdimisht po dalin emra të rinj”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ka kohë që xhudoja është shkëputur shumë nga pjesa tjetër e sporteve të vendit. Me programin “Kosova shtet i xhudos” zhvillimi vlerësohet se është bërë edhe më i hovshëm.