Declan Rice dhe Bukayo Saka do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Brentfordit.

Arsenali të shtunën nga ora 18:30 e pret Brentfordin në ndeshjen që i takon javës së 32-të të Premier Leagues.

Këtë e ka bërë të ditur të premten në konferencë për shtyp, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.

Rice dhe Saka pësuan lëndime të lehta muskulore të martën në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.

Mesfushori anglez, Rice, shkëlqeu duke i realizuar dy supergola nga goditja e dënimit në fitoren 3:0 të Arsenalit.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të mërkurën.

“Declan Rice dhe Bukayo Saka janë në formë. Të dy futbollistët u rikuperuan mirë, kështu që ata janë të gatshëm për nesër”, deklaroi Arteta.

Arsenali pas 31 ndeshjeve të zhvilluara deri më tani në kampionatin anglez renditet në pozitën e dytë me 62 pikë.

Lider është Liverpooli me 73 pikë.