Një raport i ri ka treguar se tabela e La Ligës do të dukej ndjeshëm ndryshe nëse VAR-i nuk do të ekzistonte, në mes të polemikave që përfshijnë disa nga lojtarët më të njohur të kampionatit dhe zyrtarët e tij. Gjatë këtij sezoni janë shfaqur shumë ankesa në lidhje me vendimet e gjyqtarëve, ku Real Madridi ka shkuar deri aty sa ka publikuar një video që tregon se si Ricardo De Burgos Bengoetxea ka favorizuar vazhdimisht vendime kundër “Los Blancos”.
Ndërkohë që edhe madrilenët kanë përfituar nga dy vendime të dyshimta që çuan në gola në humbjen e tyre më të fundit në El Clasico ndaj Barcelonës, “Los Cules” kanë ankuar po ashtu për standardin e arbitrimit edhe në ndeshjet evropiane këtë sezon. Tani, tabela e modifikuar e kampionatit ofron një pamje befasuese se cilat skuadra janë dëmtuar më shumë nga vendimet e VAR-it.
Sipas kësaj tabele të përditësuar, skuadra e Carlo Ancelottit do të ishte lidere e padiskutueshme e kampionatit nëse nuk do të ishte për ndërhyrjet e VAR-it. Kampionët në fuqi të sezonit të kaluar aktualisht janë katër pikë prapa pasardhësve të Hansi Flick me një ndeshje më pak për të luajtur, por pa teknologji ata do të ishin tetë pikë përpara në krye të tabelës.
Real Madridi do të kishte 88 pikë, ndërsa Barcelona 80, që do të thotë se do ta kishin siguruar titullin edhe më herët, duke ndëshkuar katalanasit për vështirësitë që përjetuan gjatë mesit të sezonit. Kjo diferencë do të vinte nga tre fitore shtesë që Madridi do të kishte marrë, ndërsa Barcelona do të kishte humbur tre ndeshje më shumë. Madridi gjithashtu do të përfitonte nga një golaverazh më i mirë, ndërsa ai i rivalëve të tyre do të përkeqësohej.
Këto gjetje ndoshta ndihmojnë në shpjegimin e frustrimeve të vazhdueshme të lojtarëve gjatë sezonit, të përmbledhura më së miri nga komenti i Jude Bellingham në tunel gjatë finales së Copa del Rey, kur ai shpërtheu duke thënë: “Gjithçka 50-50 shkon në anën e tyre [të Barcelonës].”
Ndryshime të tjera në tabelën e La Ligës
Gara për top katërshe do të ishte edhe më e ngushtë
Përveç betejës në krye të tabelës, do të kishte pasoja të mëdha edhe më poshtë. Ndërsa pozicionimi nga vendi i tretë deri në të pestin nuk do të ndryshonte, Atletico Madridi do të ishte shtatë pikë përpara Athletic Club që ndodhet në vendin e katërt, ndërsa këta të fundit do të ishin në pikë të barabarta me Villarrealin – në vend që të ishin dy pikë përpara tyre siç janë aktualisht.
Ndërkohë që tri vendet e fundit do të mbeteshin të njëjta, rënia e Mallorcas pa VAR do të ishte ekstreme. Klubi që dikur ishte shtëpia e Samuel Eto’os aktualisht ndodhet në një vend të rehatshëm – pozitën e 10-të. Megjithatë, pa ndërhyrjen e teknologjisë, ata do të kishin 10 pikë më pak dhe do të ishin në vendin e 17-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga liga.
Ndërkohë, Alaves do të ishte një nga përfituesit më të mëdhenj, duke u ngjitur nga vendi i 14-të në të 9-in me një diferencë prej gjashtë pikësh – çka mund t’i kishte futur në garë për një vend në Evropë në ditën e fundit të kampionatit.




























