Klubi Futbollistik FC Drenica ka bërë të ditur se të hënën, në ora 17:00, do të nënshkruhet marrëveshja historike që sjell një kapitull të ri për klubin kuq e zi. Në një ceremoni solemne, Komuna e Skënderajt, drejtuesit e klubit dhe investitorë të rinj do të zyrtarizojnë bashkëpunimin që synon të sigurojë mbështetje të fuqishme për zhvillimin dhe të ardhmen e ndritur të Drenicës.
Në njoftim, klubi ka shprehur mirënjohje për të gjithë futbollistët, trajnerët, punonjësit, vullnetarët dhe tifozët që me pasion e përkushtim kanë kontribuar ndër vite që FC Drenica të jetë krenaria e Skënderajt. Po ashtu, falënderim i veçantë i është adresuar kryetarit të Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, dhe nënkryetarit Sami Lushtaku, për mbështetjen e vazhdueshme institucionale që ka bërë të mundur përparimin e klubit.
Sipas klubit, emrat e investitorëve do të zbulohen gjatë ceremonisë së nënshkrimit, ndërsa theksohet se kontributet e mëparshme nuk po zëvendësohen, por po pasurohen me një forcë të re që synon të forcojë vizionin dhe të krijojë një sinergji të fuqishme për të ardhmen.
FC Drenica fton të gjithë tifozët dhe dashamirët e futbollit që të jenë pjesë e këtij kapitulli të ri dhe të mbajnë gjallë jehonën “Drenica, Drenica!” në çdo stadium.




























