Luftëtari shqiptar Ramiz Brahimaj ka shënuar një fitore tjetër në serinë më të madhe të arteve marciale të përziera (MMA), UFC. 

Brahimaj të shtunën mbrëma në Las Vegas e mposhti Austin Vanderfordin me mbërthim në raundin e dytë. Për Brahimajn është fitorja e tretë rresht në UFC. 

Në UFC ai ka bilanc prej 5 fitore e tri humbje. Të pesë fitoret 32-vjeçari i ka me ndërprerje. 

Ai është në mesin e pesë luftëtarëve aktivë në kategorinë velter me më së shumti fitore me mbërthim. I ka 4 fitore me mbërthim, ndërsa kryeson në këtë listë Gunnar Nelson me shtatë. 

“Jiu-jitsu im, goditjet me këmbë. Po bëhem më i mirë çdo ditë. E di se mund të jem më i miri në botë”, tha Brahimaj pas luftës. 

Gjatë intervistës pas luftës ai sërish u paraqit me plis dhe ia vendosi atë në kokë komentatorit dhe analistit të famshëm të UFC-së, Joe Rogan, i cili e intervistoi. 

Roganit i tha ta mbajë plisin, ndërsa ai i tha se është e dyta që ia ka dhuruar.

Brahimaj në UFC debutoi më 7 nëntor të vitit 2020. 

Më herët kishte marrë pjesë në seritë si LFA dhe Xtreme Knockout. Si dhe Genesis Combat Sports.