Futbollistët e grupmoshës U19 të Kosovës kanë pësuar humbje shumë të thellë në nisje të kampanjës kualifikuese për “Euro 2026”.

Kosova e udhëhequr nga përzgjedhësi Albert Bunjaku, humbi 4:0 nga Norvegjia të mërkurën në ndeshjen që u luajt në “Odd Stadium”, në Skien të Norvegjisë.

Norvegjia është nikoqire e Grupit 12, ku janë edhe Gjermania dhe Armenia.

Alexander Rossing-Lelesiit dhe Sean Nilsen-Modebe i shënuan nga dy gola në fitoren e norvegjezëve.

Ata realizuan në minutat 64, 82, 88 dhe 91.

Kosova U19 të shtunën dhe të martën i luan edhe dy ndeshje të këtij grupi, ndaj Gjermanisë dhe Armenisë.

Dy ekipet e para të secilit prej 13 grupeve dhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të tretë, avancojnë në “Elite Round”.

Ndeshjet e raundit të ardhshëm luhen në pranverën e vitit 2026.

Evropiani U19 në vitin 2026 organizohet në Uells.