Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova e Sllovenia luajtën pa gola.

Ndeshja i takoi xhiros së tretë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Me barazim, Kosova mbetet e dyta në Grupin B me katër pikë. Zvicra udhëheq me nëntë pikjë, ndërsa Sllovenia doli në vendin e tretë me dy pikë. Suedia mbetet me një pikë dhe bie në vendin e fundit.

Ndeshja nisi mirë për Kosovën. Në minutën e pestë Florent Muslija bëri krosim të bukur në zonë për Vedat Muriqin. Por goditja e sulmuesit nuk ishte e saktë.

Më pas të përzgjedhurit e Franco Fodas i kishin disa tentime të rrezikshme, por pa rrezikuar seriozisht portën e sllovenëve.

Ndërkohë mysafirët kishin më shumë mundësi të mira shënimi. Në pjesën e parë portieri i Kosovës, Aro Muriq, bëri pritje vendimtare pas goditjes së yllit të Manchester Unitedit, Benjamin Sheshkos.

Sulmuesi slloven rrezikoi disa herë edhe në pjesën e dytë. Por Muriq nuk u mposht, ndërsa me një ndërhyrje vendimtare u dallua edhe mbrojtësi i qendrës, Albian Hajdari.

Hajdari debutoi te Kosova, ndërsa luajti përkrah Fidan Alitit e Ilir Krasniqit. Krahët e mbrojtjes sërish u janë besuar Mërgim Vojvodës e Dion Gallapenit.