Kombëtarja e Kosovës ka marrë rrugën drejt Suedisë me optimizëm përpara përballjes së sotme.

Dardanët u vendosën dje në Göteborg, ku do të zhvillojnë ndeshjen e dytë me suedezët, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Vedat Muriqi me shokë regjistruan një fitore të madhe dhe historike ndaj Suedisë muajin e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Prandaj, skuadra e trajnerit Franco Foda synon ta përsërisë atë paraqitje të madhe sonte për të marrë pikët e nevojshme në garën për “play-off”, në udhëtimin drejt Botërorit.

Kosova vjen nga barazimi pa gola me Slloveninë, të cilin e regjistroi të premten që shkoi.

Verdhëkaltrit ndodhen aktualisht në vendin e dytë, dhe një fitore apo barazim në Suedi do t’i linte në të njëjtën pozitë përpara sfidave të fundit dhe vendimtare të nëntorit ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës.

Në ditët e fundit, futbollistët e Kosovës kanë ushtruar në Kampin Kombëtar të FFK-së në Hajvali, ku përzgjedhësi Franco Foda ka punuar kryesisht në aspektin taktik, duke provuar detajet e lojës me të cilat synon të paraqitet në këtë ndeshje.

Stërvitjet janë zhvilluar pa ngarkesa të mëdha fizike, ndërsa atmosfera në grup mbetet shumë pozitive dhe lojtarët janë maksimalisht të motivuar.

Nga grumbullimi është liruar Elvis Rexhbeçaj, i cili nuk arriti të rikuperohet plotësisht nga lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Sllovenisë.

Foda do të përballet edhe me disa mungesa të tjera, por pritet të arrijë të kombinojë skuadrën dhe të vendosë në fushë lojtarët që ka në dispozicion.

Ndeshja ndërmjet Suedisë dhe Kosovës do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45.