Trajneri Debatik Curri, që në këtë post e zëvendësoi Ardian Nuhiun, e ka nisur me fitore aventurën e re te skuadra e Gjilanit.

Curri dhe Gjilani të shtunën fituan 1:0 ndaj Prishtinës së Re në udhëtim, në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll, të parën pas pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve.

Ndeshja u zhvillua në Lipjan, përkatësisht në stadiumin “Sami Kelmendi”.

Sfidën e vendosi Senad Jaroviqi. Sulmuesi shtatlartë shënoi gol në minutën e 83-të. Goli fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të situatës në VAR nga gjyqtari Dardan Çaka, u pa se gjithçka ishte e rregullt.

Goli i Jaroviqit mbeti në fuqi dhe Gjilani iu gëzua fitores së parë pas tri humbjeve të njëpasnjëshme, nga Drenica, Llapi dhe Drita.

Në pjesën e parë, Gjilani pretendoi për penallti pas prekjes me dorë në zonë të mbrojtësit të krahut të djathtë, Donat Hasanaj. Edhe këtë situatë gjyqtari Çaka e rishikoi në VAR, dhe vlerësoi se prekja e topit me dorë nuk ishte e qëllimshme.

Kriza te Prishtina e Re është thelluar edhe më shumë. Prishtina e Re e pësoi disfatën e katërt në pesë ndeshjet e fundit, ku e ka edhe një barazim.

Me dhjetë pikë, Gjilani tani është në pozitën e shtatë. Dhjetë pikë i ka edhe Malisheva në pozitën e gjashtë.

Ndërkohë, Prishtina e Re në vendin e fundit ka vetëm shtatë pikë në nëntë ndeshje.