Ish-trajneri i Portugalisë, Luiz Felipe Scolari, ka folur për Cristiano Ronaldon.
Scolari ka folur pikërisht për kohën kur Ronaldos i kishte vdekur babai.
Portugezi ka thënë se i kishin dhënë leje Ronaldos të kthehej në Portugali, por ai kishte refuzuar.
“Cristiano ishte 22 vjeç kur e bëra kapiten të Portugalisë. Ai e ka pasur gjithmonë mentalitetin e liderit. Ai sillet shumë mirë me shokët e ekipit”, tha Scolari për “L’Equipe”.
“Nuk e harroj kurrë momentin kur vdiq babai i tij. Ne ndodheshim në Rusi kur na erdhi lajmi. Cristiano ishte në moshën e djalit tim dhe unë shkova ti jepja lajmin e hidhur. Biseduam për rreth 40 minuta dhe lotët nuk munguan”, tha Scolari.
“I dhamë mundësinë të rikthehej menjëherë në Portugali, por Ronaldo më tha: Nuk kthehem, do zbres në fushë nesër dhe më pas do shkoj tek familja ime. Ai ia doli të luante një nga ndeshjet më të mira me kombëtaren. Kjo tregon se ai është një profesionist me cilësi shumë të lartë. Meriton gjithçka që ka arritur”, perfundoi Skolari.
71-vjeçari drejtoi kombëtaren e Portugalisë gjatë viteve 2003-2008 ku arriti finalen e Euro 2004./VAR Kosova/