Malisheva e ka fituar ndeshjen e parë pas dy humbjeve të njëpasnjëshme në elitën e futbollit kosovar.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Qatip Osmani të shtunën fitoi 2:0 në udhëtim te Prishtina e Re, e trajnerit Shpëtim Babaj.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. I takoi xhiros së 10-të të Superligës së Kosovës dhe u vendos nga sulmuesi i krahut, Altin Aliu.
Aliu shënoi për 1:0 në minutën e nëntë, ndërsa e vendosi sfidën me golin e minutës së 39-të.
Malisheva pas dhjetë ndeshjeve ka 13 pikë dhe zë vendin e pestë. Prishtina e Re thellohet edhe më shumë në krizë. Aktualisht ka shtatë pikë në vendin e fundit.



























