Sulmuesi polak është rikthyer në stërvitje me skuadrën në Ciutat Esportiva, vetëm dy javë pas lëndimit muskulor, me shpresë se do të jetë gati për ndeshjen e së shtunës kundër Elches.

Robert Lewandowski, sulmuesi polak i Barcelonës, u rikthye të hënën në stërvitje me pjesën tjetër të ekipit në Qendrën Stërvitore Joan Gamper.

Lajmi vjen si një frymëmarrje lehtësimi për stafin teknik dhe tifozët blaugrana, pas disa javësh mungesë të sulmuesit kryesor. Sipas SPORT, Lewandowski kreu një pjesë të seancës stërvitore me grupin, vetëm një ditë pas humbjes 2-1 ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabéu”.

Barcelona njoftoi më 14 tetor se lojtari kishte pësuar një çarje muskulore në kofshën e majtë gjatë ndeshjeve të kombëtares. Edhe pse nuk u dha një afat i saktë për rikuperimin, ecuria e tij ka qenë shumë pozitive.

Në seancën e sotme stërvitore, ndërsa disa titullarë qëndruan në palestër, Lewandowski doli në fushë për të kryer ushtrime me intensitet të ulët. Lojtari ndjehej mirë fizikisht dhe, në varësi të përparimit të tij gjatë ditëve në vijim, pritët të përfshihet në listën e skuadrës për ndeshjen kundër Elches.