Santi Cazorla ka rrëfyer tmerrin që përjetoi gjatë kohës te Arsenali, kur u dëmtua duke luajtur për Spanjën kundër Kilit në vitin 2013. Ky ishte fillimi i një periudhe të gjatë vuajtjesh, nga e cila më në fund është rikuperuar, duke u rikthyer te skuadra e tij e dashur, Real Oviedo. Ai ka sugjeruar se kjo mund të jetë edhe viti i tij i fundit si futbollist.
Jeta e Santi Cazorla ndryshoi në vitin 2013. Pas triumfit të Spanjës në Kampionatin Evropian, një dëmtim i pësuar në një ndeshje miqësore kundër Kilit shënoi fillimin e një kalvari të vërtetë që e çoi shumë pranë humbjes së këmbës – të paktën kështu iu tha në Angli.
“Mora një goditje që më theu një kockë në këmbë. Aty fillova të merrja injeksione kortizoni për të lehtësuar dhimbjen. Me kalimin e kohës, ajo u bë e padurueshme. Luaja praktikisht me lot në sy. Nuk po e shijoja më,” rrëfeu ai në një intervistë për L’Équipe.
Cazorla kujton gjestin e bërë nga Arsène Wenger, që në atë kohë ishte trajner i Arsenalit:
“Ai më telefonoi dhe më tha: ‘E di që nesër ke operacion dhe kontrata jote skadon në fund të sezonit. Kam përgatitur një zgjatje njëvjeçare për ty. Mos u shqetëso, përqendrohu te operacioni’. Këtë gjest njerëzor nuk do ta harroj kurrë.”
“Lëkura ime ishte dëmtuar rëndë nga aq shumë injeksione. Ishte e vdekur dhe nuk shërohej dot. Problemet vetëm sa shtoheshin. Gjatë operacionit mora një infeksion bakterial. Aty filloi kalvari. Iu nënshtrua një operacioni çdo muaj, gjithsej njëmbëdhjetë herë, pa e kuptuar askush çfarë po ndodhte. Kur u ktheva në Spanjë për një mendim të dytë, kisha gangrenë në tendinën e Akilit në një gjatësi prej 11 centimetrash,” tregoi ai.
Në Angli, mjekët i thanë se “rrezikonte të humbiste këmbën, nga gjuri e poshtë”. “Mjeku im spanjoll më qetësoi. Njerëzit thoshin se ai po e minimizonte seriozitetin e dëmtimit. Në fund, ai mohimi më ndihmoi të mbetesha optimist. Analizat treguan se krahu im i majtë ishte më i përshtatshmi për transplant. Pikërisht aty kisha tatuazhin e vajzës sime. Si rezultat, tani e kam gjysmën tjetër të tij në këmbë. Sot buzëqesh kur mendoj për këtë shenjë të vogël të fatit,” shtoi Cazorla.



























