Presidenti i Barcelonës, në një intervistë për Catalunya Ràdio, deklaroi se “është e drejtë që Leo të ketë homazhin më të bukur në botë” dhe sqaroi se “të bësh spekulime për një rikthim të mundshëm si lojtar, nuk është e përshtatshme”.
Joan Laporta, presidenti i FC Barcelona-s, e priti këtë të mërkurë në mëngjes në Spotify Camp Nou gazetarin Ricard Ustrell, drejtues i programit El matí të Catalunya Ràdio. Ai analizoi disa tema të aktualitetit të klubit katalanas, përfshirë edhe vizitën e fundit të papritur dhe të bujshme të Lionel Messit në stadium.
“Nuk e dija që do të vinte, por Spotify Camp Nou është shtëpia e tij. Kur ma shpjeguan si ndodhi, mendoj se ishte një gjest simpatik — përfundoi darkën dhe iu tek të vinte me disa miq. Ishte një akt barcelonizmi. Është e drejtë që Leo të ketë homazhin më të bukur në botë. Kur stadiumi të përfundojë, do të kemi një kapacitet prej 105 mijë tifozësh, kështu që do të donim ta bënim aty. Po punojmë për këtë homazh, për të ofruar futbollin më të mirë në botë, dhe në kuadër të tij, duam t’i ofrojmë Messit nderimin që meriton,” deklaroi Laporta.
Ai pranoi se me sulmuesin argjentinas 38-vjeçar, golashënuesin më të mirë në historinë e klubit, ka mbetur ende një kapitull i papërfunduar për shkak të largimit të tij të papritur:
“Nuk ndodhi siç donim të gjithë; gjërat shkuan siç shkuan. Nëse përmes këtij homazhi mund të bëjmë atë që nuk mundëm atëherë, do të ishte mirë. Por të spekulojmë për një rikthim të mundshëm si lojtar, nuk është e përshtatshme.”




























