Sulmuesi polak 37-vjeçar ka kontratë me Barcelonë-n deri më 30 qershor 2026, por gjatë shtatë ditëve të fundit e ka përsëritur dy herë se “nuk kam nxitim për të rinovuar”. Kjo ka mjaftuar që në Turqi dhe Itali të fillojnë ta lidhin me dy klube të ndryshme që mund ta kërkojnë në muajt e ardhshëm.
Brenda më pak se një jave, si para ndeshjes Brugge–Barça (3-3) në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe gjatë mbërritjes së tij në grumbullimin e përfaqësueses së Polonisë, Lewandowski e ka bërë të qartë se dëshiron të presë fundin e sezonit për të parë se si do të ndjehet fizikisht, por në futboll zakonisht nuk pritet aq gjatë. Pas këtyre deklaratave, janë shfaqur dy destinacione të mundshme: Fenerbahçe dhe Milan.
Gazetari Sercan Hamzaoglu nga TSYD raportoi se “Fenerbahçe po pyet për kushtet e Lewandowskit, ndonëse në mënyrë indirekte. Po shqyrtohet mundësia e shitjes së En Nesyri-t, i cili ëndërron të transferohet në Arabinë Saudite. Burime pranë klubit thonë se mund të bëhet një ofertë për një kontratë njëvjeçare e gjysmë, por nuk janë marrë ende masa zyrtare për të mos shqetësuar balancën e ekipit.” Kjo do të nënkuptonte një marrëveshje që fillon në janar të këtij sezoni dhe do të zgjaste deri në qershor 2027.
Në të njëjtën kohë, gazetari Sacha Tavolieri, bashkëpunëtor i Sky Sport dhe njohës i mirë i tregut belg, raportoi se Milanpo mendon për Lewandowskin për sezonin e ardhshëm, kur ai mund të largohet si lojtar i lirë.
Tavolieri përmend edhe detaje konkrete:
“Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, i kontaktuar së fundmi nga përfaqësuesit e polakut, pritet të takohet në javët e ardhshme me agjentin e tij, Pini Zahavi, për të diskutuar një strukturë page të përputhshme me financat e klubit italian.” Ai shton gjithashtu se “Zlatan Ibrahimovic, tani pjesë e stafit teknik të Milanit, po ushtron presion të madh brenda klubit për të realizuar këtë transferim.”



























