Ashtu siç iu duhej për ta për herë të parë plejofin për kualifikim në Botëror, ashtu edhe ndodhi. Shqipëria e fitoi Andorrën 1:0, ndërsa Serbia humbi po ashtu 2:0 nga Anglia të enjten mbrëma, në ndeshjet e parafundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Kuqezinjtë fituan në Encamp të Andorrës 1:0 me golin e vetëm të realizuar nga mesfushori Kristjan Asllani.

Asllani shënoi gol me goditje të saktë pas asistimit të Myrto Uzunit. Aksionin e golit e nisi Nedim Bajrami, i cili fillimisht u lirua nga një futbollist i Andorrës, pasoi tek Uzuni, i cili më pas asistoi për Asllanin që shënoi golin e fitores së madhe.

Bajrami e Uzuni u inkuadruan në fushë shtatë minuta para se Asllani ta shënonte golin e fitores që ia siguroi për herë të parë Shqipërisë paraqitjen në pljeofin për Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Shqipëria është në vendin e dytë me 14 pikë, kurse Serbia në pozitën e tretë me katër pikë më pak. Anglia e ka siguruar kualifikimin direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Shqipëria e Anglia do të përballen në Tiranë në ndeshjen e fundit kualifikuese. Ndeshja luhet të dielën dhe do të jetë festive.

Pas dy paraqitjeve në Evropian, Shqipëria do ta kërkojë nëpërmjet plejofit kualifikimin në Botëror. Ndeshjet e plejofit luhen në mars.