Legjenda e Liverpool, John Barnes beson se kampionët e Premier League ishin më të mirë sezonin e kaluar se sa në këtë të fundit, ndonëse u shpallën kampion të Anglisë pas 30 viteve.
“Unë u kënaqa me sezonin e kaluar të Liverpool, ku kishin marrë 97 pikë në vendin e dytë dhe kishin fituar Ligën e Kampionëve”, tha Barnes.
“Në fakt unë mendoj se ata ndoshta ishin më të mirë vitin e kaluar, por Man City ishin thjesht të pabesueshëm”, shtoi ai.
Ai ka përmendur fitoren e Liverpool 4-0 në ‘Anfield Road’ kundër Barcelonës sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve.
Sipas tij, fitorja ndaj Barcelonës e kalon edhe triumfin e Stambollit, ku Liverpool ishte kthyer nga 3-0 kundër Milanit në 2005 në 3 me 3, për ta fituar pastaj titullin nga penaltitë.
“Kjo fitore e Liverpoolit 4-0 në Anfield ndaj Barcelona në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve 2018/19 – kryeson gjithçka që Liverpool ka bërë në të kaluarën – përfshirë Stambollin”.
“Të mposhtësh Barcelonën kur duhej t’i mposhtësh ata 4-0 në shtëpi, pa Roberto Firmino dhe Mohamed Salah, derisa ata kishin të gjithë lojtarët e tyre, përfshirë Lionel Messi… kjo është arsyeja pse është ndeshja ime e preferuara nga të gjitha”, është shprehur legjenda e Liverpool.
Barnes ka pasur fjalë të mëdha për trajnerin e Liverpool-it, gjermanin Jurgen Klopp.
“Jurgen Klopp ka sjellë një nivel të qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe përulësisë për ekipin”, thotë ai.