Miliarderi me qëndrim në Monako, Jim Ratcliffe, ka thënë se i vjen keq që “zgjedhja e gjuhës së tij ka ofenduar disa njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe Europë”, duke shkaktuar përplasje për shkak të komenteve të tij se Britania “është kolonizuar” nga migrantët, ka raportuar të enjten (12.02.2026) gazeta “the Guardian”.

Bashkëpronari i klubit të futbollit, Manchester United, është përballur me kritika të ashpra pasi kishte përmendur statistika të pasakta dhe komente, që janë konsideruar stërkritike dhe shenja të “narrativave të së djathtës ekstreme”.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, i kishte kërkuar Ratcliffet që të kërkonte falje për deklaratën e tij.  Starmer i ka cilësuar komentet si “ofenduese dhe të gabuara”.

Ratclffe, themelues i një prej kompanive më të mëdha kimike në botë, Ineos, ka deklaruar për televizionin  Sky News të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar është “kolonizuar nga emigrantët” dhe ka sugjeruar se kryeministri është “shumë i sjellshëm” që të kryejë “punë të vështira” për të stabilizuar ekonominë e vendit.

Starmer u kundërpërgjigj duke thënë se Britania është “një vend krenar, tolerant dhe i larmishëm” dhe i bëri thirrje Ratcliffet që të kërkojë falje.

Ratcliffe ka deklaruar për Sky News: “Nuk mund të kesh një ekonomi me nëntë milionë njerëz që marrin ndihma dhe nivele të mëdha emigrantësh që vijnë. Dua të them, Mbretëria e Bashkuar është kolonizuar. Po kushton shumë para”.

“Mbretëria e Bashkuar është kolonizuar nga emigrantët, me të vërtetë, apo jo?” – ka pyetur ai.

Në një deklaratë të shkruar të lëshuar pas rritjes së zemërimit në mesin e futbollistëve, adhuruesve të futbollit, liderëve të sindikatave dhe aktivistëve të fushatave kundër racizmit, Ratcliffe ka thënë se “qëllimi im ishte që të theksoja se qeveritë duhet të menaxhojnë migracionin bashkë me investim në shkathtësi, industri dhe vende pune, me qëllim që të mund të ketë prosperitet të ndahet prej të gjithëve”.

Vërejtjet u dënuan nga grupe të ndryshme tifozësh, përfshirë Manchester United Supporters Trust, që ka shkruar në X: “Asnjë tifoz nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga ndjekja ose mbështetja e klubit për shkak të racës, fesë, kombësisë ose prejardhjes së tij. Komentet nga udhëheqja e lartë e klubit duhet ta bëjnë përfshirjen më të lehtë, jo më të vështirë”.