Kosova ka kërkuar fitoren me tri gola dallim, por në fund u mposht për herë të dytë me dy gola dallim nga Finlanda.
Të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, në praninë e pak shikuesve, hendbollistet e Kosovës u mposhtën me rezultatin 29:27. Ndeshja i takoi xhiros së katërt të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të këtij viti. Kosova nga Finlanda humbi edhe të enjten në udhëtim.
Kosova mbetet pa pikë në vendin e fundit dhe tashmë pa gjasa për t’i ikur kësaj pozite. Me fitore me tri gola dallim ndaj Finlandës, Kosova do të dilte në vendin e tretë në Grupin 1 dhe do të mbetej në garë në kualifikim në Evropian.
Në grup me Kosovën e Finlandën janë edhe Franca e Kroacia, por që janë nivel dukshëm më i lartë dhe aktualisht i papërballueshëm për të dy përfaqësueset që u takuan të dielën në Prishtinë.
Ndeshja nisi më mirë për Finlandën që krijoi herët epërsi 4:1. Por Kosova u kthye furishëm pas aktivizimit të Mirela Gjikokajt. Barazoi në 7:7 e më pas krijoi epërsi prej gjashtë golash, 15:9. Dhe kur pritej që epërsia të rritej, Finlanda i shënoi tre gola rresht për rezultatin 15:12 në fund të pjesës së parë.
Në minutën e 43-të mysafiret kaluan sërish në epërsi dhe më pas u zhvillua lojë e fortë dhe e barabartë deri në fund. Në minutën e 59-të rezultati ishte 27:27, kurse më pas Finlanda i shënoi edhe dy gola të tjerë për fitoren 29:27.
Portierja Aurora Kryeziu sërish ishte më e dalluara te Kosova me plot 14 pritje. Nëntë gola nga 16 tentime i shënoi Mirela Gjikokaj. Pesë gola nga shtatë tentime i kishte Elisa Mulaj, kurse pesë nga 11 tentime i shënoi Merlinda Qorraj. Me katër gola nga shtatë tentime kontribuoi Tina Hetemi.
Në ndeshjen tjetër të së dielës, Franca fitoi 34:14 ndaj Kroacisë. Franca udhëheqë në grup me tetë pikë dhe është kualifikuar në Evropian. Kroacia e Finlanda i kanë nga katër pikë, ndërsa Kosova mbetet pa pikë.
Në prill Kosova luan në shtëpi me Francën dhe në udhëtim me Kroacinë. Por ky cikël kualifikues mund të llogaritet i përfunduar.




























