Një e teta e finales në Ligën e Kampionëve fillon të martën me ndeshje të shkëlqyera, skuadra që kthehen në këtë fazë të garës pas mungesës së gjatë dhe me rrëfimin e pabesueshëm të Bodo/Glimt.
Paris Saint-Germaini të mërkurën e pret Chelsean, e cila skuadër në korrikun e kaluar ia pamundësoi fituesit në fuqi të Championsit që të shtojë në koleksion edhe titullin e botës.
Real Madridi takohet me Manchester Cityn për herë të dytë këtë edicion dhe për vitin e pestë rresht në fazën nokaut. Në tri prej këtyre viteve, fituesi festoi me trofe në fund.
Real Madrid – Manchester City është një prej tri çifteve që tashmë janë përballur në fazën e ligës.
Në shtator, Galatasaray e mposhti Liverpoolin në Stamboll, kurse Barcelona u largua nga Newcastle me të gjitha tri pikët.
Galatasaray dhe Newcastle luajnë ndeshje të Championsit në mars pas plot 12, përkatësisht 23 vjetëve.
Atalanta e pret Bayernin pesë vjet pasi arriti për herë të fundit në një të tetën e finales.
Bodo/Glimti i ka dhënë fund pritjes 29-vjeçare të Norvegjisë për të pasur ekip kaq larg në garë. Rosenborgu kishte avancuar në çerekfinale nga faza më e vogël grupore me 16 skuadra gjithsej.
Bodo/Glimti tani e pret Sporting Lisbonën në fushën me bari artificial, ku Manchester City dhe Interi u mposhtën 3:1 në muajt e kaluar. Portugezët duhet të përballojnë temperaturën e ulët në qytetin e peshkatarëve në Norvegji.
Mbappe – Haaland?
Skuadra e Pep Guardiolas tashmë ka fituar në “Santiago Bernabeu” në dhjetor. Penalltia e Erling Haalandit siguroi fitoren 2:1, derisa superylli i Real Madridit, Kylian Mbappe, qëndroi në stol.
Mbappe është në dyshim për ndeshjen e së mërkurës për shkak të një lëndimi në gju.
Janë vetëm gjashtë ditë në mes të ndeshjes së parë dhe asaj të kthimit në Manchester. Por Mbappe e Haaland do të kenë tjetër rast që të takohen këtë edicion.
Në Kupën e Botës, Franca luan me Norvegjinë në ndeshjen e fundit në Grupin I, më 26 qershor në afërsi të Bostonit.
Dueli i kampionëve
PSG – Chelsea jep ndjesinë e një rivaliteti të vërtetë në Champions, ndonëse kanë kaluar dhjetë vjet prejse skuadrat u takuan në këtë garë.
Edhe në vitin 2016 skuadrat u takuan në një të tetën e finales. Trajnerë ishin Laurent Blanc e Guus Hiddink.
Ekipi i PSG-së, me Zlatan Ibrahimoviqin në sulm, kishte fituar në shtëpi dhe në udhëtim. Ishte viti i tretë rresht që skuadrat takoheshin në fazën nokaut.
Së fundi dy skuadrat u përballën në verën e kaluar, në finale të Kupës së Botës për Klube. Chelsea bëri befasi duke fituar 3:0 ndaj PSG-së.
Skuadrat e finales
Vetëm një prej tetë dueleve është rimeç i ndonjërës prej finaleve të garave të UEFA-s që kur Kupa Evropiane nisi në vitin 1955.
Në vitin 1963, Kupën e Fituesve të Kupave e fitoi Tottenhami, duke triumfuar në finale me shifrat 5:1 ndaj Atletico Madridit. Është hera e vetme kur këto skuadra janë takuar mes tyre.
Ka pak afërsi për Tottenhamin, pasi stadiumi i Atleticos, “Metropolitano”, është arena ku e humbi finalen e Championsit në vitin 2019 nga Liverpooli.
Atletico ka fituar vetëm një prej dhjetë ndeshjeve të fundit ndaj kundërshtarëve anglezë. Por kundërshtari i së martës po kalon një edicion kaotik.
Duke përfunduar i pari në fazën e ligës me 36 skuadra, Liverpooli nuk shkoi larg më pas në edicionin e kaluar. U ndal në një të tetën e finales nga PSG.
Arsenali ishte i pari në ligë këtë edicion dhe luan me Bayer Leverkusenin, që e organizon ndeshjen e parë të mërkurën.




























