Irani ka thënë se askush nuk mund ta përjashtojë nga Kupa e Botës në futboll, si përgjigje për deklaratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump se “jeta dhe siguria” e iranianëve do të jetë në rrezik në SHBA.

Ekipi iranian po ashtu ka thënë në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale se SHBA-ja nuk duhet të lejohet ta organizojë turneun nëse nuk garanton siguri për të gjitha ekipet përfaqësuese që marrin pjesë.

SHBA-ja e organizon Botërorin së bashku me Kanadanë e Meksikën. Botërori i futbollit vlerësohet ngjarja më e madhe sportive në botë.

Komentet e Trumpit u bënë vetëm dy ditë pasi ai i tha presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, se lojtarët iranianë do të jenë të mirëpritur me gjithë konfliktin në Lindjen e Mesme.

“Ekipi përfaqësues i Iranit është i mirëseardhur në Kupën e Botës, por vërtetë nuk besoj se është e përshtatshme që iranianët të jenë atje, për jetën e tyre dhe sigurinë”, ka thënë Trump të enjten.

Ekipi i Iranit është përgjigjur: “Kupa e Botës është ngjarje historike dhe ndërkombëtare dhe organizohet nga FIFA. Jo nga individë apo vende. Ekipi nacional i Iranit, me forcë dhe seri të fitoreve vendimtare të arritura nga djemtë trima të Iranit, ishte prej të parëve që u kualifikua për këtë ngjarje të madhe. Qartë se askush nuk mund ta përjashtojë Iranin nga Kupa e Botës. I vetmi vend që mund të përjashtohet është ai që thjesht e mban titullin e ‘nikoqirit’, e që nuk ka aftësinë për të ofruar siguri për ekipet pjesëmarrëse në këtë ngjarje globale”.

Lufta, e shkaktuar nga sulmet SHBA-Izrael më 28 shkurt, ka vënë në dyshim pjesëmarrjen e Iranit në turneun e verës së këtij viti.

Trump më pas postoi një mesazh tjetër në platformën e tij të mediave sociale. Shkroi se ngjarja do të ishte e sigurt për lojtarët dhe spektatorët nga e gjithë bota.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mezi presin të organizojnë Kupën e Botës”, shkroi Trump ndërkohë.

Kampionati Botëror fillon më 11 qershor. Irani më 15 qershor duhet të luajë ndaj Zelandës së Re në Inglewood të Los Angelesit.