Federico Valverde shënoi “hat-trick” në mesjavë në Ligën e Kampionëve, në fitoren 3:0 të Real Madridit ndaj Manchester Cityt.

Dhe i frymëzuar pas asaj fitoreje të madhe në ndeshjen e parë të një të tetës së finales, Real Madridi kthehet në La Liga ku është në ndjekje të lideres, Barcelonës.

Reali luan të shtunën nga ora 21:00 në “Santiago Bernabeu” ndaj Elches, ndërsa Barcelona ka punë të vështirë të dielën nga ora 16:15 me Sevillan në “Camp Nou”.

Ndeshjet i takojnë xhiros së 28-të.

Barcelona është e para me 67 pikë. Reali është i dyti me 63 pikë.

Elche është në kërkim të pikëve për të mbijetuar në La Liga edhe për një edicion. Zë vendin e 17-të me 26 pikë.

Në pozitë të mirë nuk është as Sevilla, që i ka 31 pikë në vendin e 14-të.

Pra kundërshtarët e Real Madridit dhe Barcelonës janë maksimalisht të motivuar. 

Elche barazoi me Real Madridin, 2:2, në muajin nëntor, ndërsa Barcelona u mposht 4:1 në muajin tetor nga Sevilla.

Te Barcelona vëmendja do të jetë te Lamine Yamal. 18-vjeçari ka shënuar shtatë gola në shtatë ndeshjet e fundit në La Liga.

Yamali e realizoi nga penalltia edhe golin e barazimit të Barcelonës, 1:1, ndaj Newcastlet në Champions të martën.

Real Madridi pritet të jetë pa Kylian Mbappen, i cili nuk ka luajtur prej 21 shkurtit. Te Reali të lënduar janë edhe Jude Bellingham e Eder Militao. Rodrygo do të mungojë për kohë shumë të gjatë.