Mediumet më të mëdha botërore kanë shkruar për Kosovën në prag të ndeshjes historike të futbollit me Turqinë.

Në orën 20:45, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë arena vendimtare për kualifikim në Botëror. Skuadra fituese do të shkojë në SHBA, Meksikë e Kanada për Kupën e Botës.

“Kosova në eufori ëndërron historinë e Botërorit”, ka shkruar BBC.

“Kosova e vogël në prag të historisë së Kupës së Botës, para ndeshjes finale kualifikuese ndaj Turqisë”, ka shkruar agjencia “Reuters”.

Edhe në Itali kanë shkruar për shtetin e vogël që ëndërron Botërorin. “Kosova për historinë, vendi i vogël ëndërron Botërorin: nga Muric te Zhegrova, sa shumë Itali”, ka shkruar “Corriere della Sport”.

“The Guardian” ka shkruar se “çdo gjë është e mundshme për Kosovën”.
Ndërkohë titulli i një komenti të Alex Torres për mediumin spanjoll “AS”, është: “Ndeshja që Fadil Vokrri është dashur ta shikonte”.

Sipas autorit, asgjë që Kosova ka arritur nuk do të ishte e mundur pa ish-presidentin e federatës, legjendën Vokrri. Torres ka shkruar për përvojën personale që kishte me Vokrrin e ndjerë, për planet dhe synimet e tij.

“Nesër Kosova përballet me Turqinë duke e ditur që fitorja ia siguron vendin në Kupën e Botës. Do të luajë në stadiumin që e mban emrin e Fadil Vokrrit. Është e trishtueshme dhe e padrejtë që ai nuk do të jetë aty për ta parë, por kujtimi i tij do të jetë i gjallë në mendjen e spektatorëve. Asgjë nuk do të ishte e mundur pa të”, shkruan në artikullin e “AS”.

Revista gjermane “Kicker” ka shkruar ndër të tjera për bonusin që është premtuar nga Qeveria e Kosovës në rast të kualifikimit në Botëror. 1 milion janë premtuar për fitore në finale, por “edhe më shumë”.

Ndërkohë mediumet e fuqishme turke kanë dërguar ekipet e gazetarëve në Kosovë. Ato po e përcjellin në çdo hap përfaqësuesen turke, por edhe Kosovën.