Federata e Futbollit e Kosovës të dielën doli me deklaratë, pasi më herët gjatë ditës janë paraqitur sërish dyshime për kurdisje të rezultateve në futbollin kosovar.
Në fakt ishin komente publike të drejtuesve të Ballkanit e Llapit që kanë kthyer temën e kurdisjeve, që zakonisht aktualizohet në xhirot e fundit të edicionit. Drejtuesit e të dy klubeve kanë bërë akuza për kurdisje.
FFK-ja, përkatësisht Komisioni i Integritetit të Garave dhe Komisioni i Garave, kanë thënë se monitojnë në mënyrë të vazhdueshme të gjitha ndeshjet kampionale.
“Paralelisht, ekziston edhe një organizatë e kontraktuar nga UEFA, e cila përmes mekanizmave të saj të specializuar bën monitorimin dhe analizimin e ndeshjeve për çështje që lidhen me integritetin. Brenda FFK-së funksionon Komisioni i Integritetit të Garave, ku për çdo ndeshje angazhohen përfaqësues të këtij komisioni me qëllim të mbikëqyrjes dhe raportimit të çdo situate potenciale që mund të cenojë integritetin e garës. Federata e Futbollit e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për ruajtjen e integritetit të garave dhe nuk toleron asnjë formë të manipulimit të ndeshjeve apo ndikimit të paligjshëm në rezultatet sportive”, shkruan në komunikatën e FFK-së.
Deklaratat e drejtuesve të dy klubeve do të trajtohen me seriozitet, ka premtuar Federata.
“FFK do t’i trajtojë ato me seriozitet të plotë dhe në përputhje me rregulloret në fuqi, do të iniciojë procedura disiplinore përkatëse, dhe sigurisht në bazë të kësaj do të përfshihen për të hetuar rastin edhe institucionet relevante, si Policia e Kosovës dhe organet tjera në kuadër të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, institucione të cilat tashmë janë të njoftuara. Po ashtu, FFK është në komunikim të vazhdueshëm me mekanizmat përkatës të UEFA-s, të cilët kanë qenë në dijeni për deklaratat e tilla, ndërsa ndeshjet në fjalë kanë qenë dhe mbeten të monitoruara. Megjithatë, ritheksojmë se shpeshherë në opinion qarkullojnë fjalë e deklarata për arsye të ndryshme, me qëllim dëmtimi i imazhit të njërit apo tjetrit klub, por edhe dëmtim të imazhit të përgjithshëm të futbollit të Kosovës, andaj ftojmë të gjithë ata që bëjnë pretendime publike që të paraqiten pranë organeve kompetente me fakte dhe dëshmi konkrete. Vetëm në bazë të provave të qëndrueshme mund të ndërmerren veprime konkrete dhe të garantohen procese të drejta. Federata garanton se çdo individ apo klub që vërtetohet se është i përfshirë në manipulim të ndeshjeve apo cenim të integritetit të garave do të përballet me masa të rrepta disiplinore, deri në përjashtim nga të gjitha garat, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e FFK-së, si dhe normativat e UEFA-s dhe FIFA-s. Rikujtojmë se të gjitha klubet pretendente për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare janë nën monitorim të vazhdueshëm, duke qenë se UEFA nuk lejon përfshirjen në garat e saj të ekipeve që cenojnë integritetin e ndeshjeve”.
FFK-ja ka ftuar personat që kanë informata për kurdisje që t’i paraqesin ato në organet kompetente, duke përfshirë Prokurorinë e Shtetit.




























