Futbollisti shqiptar, Enis Bardhi, që luan për Maqedoninë e Veriut, e vlerëson si shumë të rëndësishme dhe historike përballjen me Kosovën në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Bardhi për Supersport, ku foli për ndeshjet e Play Off-it me Kosovën, situatën me koronavirusin dhe planet për të ardhmen.

“Me Kosovën do jetë një ndeshje shumë e bukur. Shpresoj që të jetë një lojë si të tjerat, shpresoj që të rikthehemi shpejt në fushën e lojës dhe ta presim me emocion atë ndeshje. Dua që ta luajmë me tifozë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe historike. Të dyja kombëtaret do të përpiqen të shkojnë në Evropian. Në fushë jemi të gjithë profesionistë dhe do luajmë për fitoren. Tifozët duhet të shijojnë ndeshjen. Kosova ka ecur shumë, e kam ndjekur në shumë ndeshje dhe ka shumë kualitete”, ka thënë Bardhi.

Ai ka treguar edhe lidhjen familjare që ka me Kosovën.

“Nënën e kam nga Kosova babanë nga Maqedonia e Veriut, dhe shpresoj ta fitoj ai që e meriton. Unë besoj te eksperienca që kemi ne, pasi kemi bërë shumë ndeshje bashkë. Shpresoj që të jemi të gjithë në formë dhe të marrim fitoren”, ka thënë Bardhi.