Analizë për futbollin dhe COVID-19

Ju kujtohen ato ankesat në fillim të marsit që ‘futbolli nuk ka kuptim të luhet pa shikues’? Epo, tashti janë ata që kërkojnë që përsëri hezitojnë që futbolli të vazhdojë duke provuar të shfaqin çfarëdo lloj dhembshurie dhe të bashkë-ndjejnë me tifozët e futbollit. E për neve që bëjmë pjesë në kategorinë e fundit, futbolli po na detyron të shikojmë edhe liga të Bjellorusisë e Taxhikistatnit. Por, edhe kësaj po i vjen fundi ngadalë.

Ligat e anuluara

Belgjika ka mbyllur sezonin pasi kanë qenë vetëm dy xhiro para fundit të pjesë së rregullt, me pjesën suplementare prej 10 xhirove për përcaktimin e ekipeve evropiane. Njëra ndër arsyet kryesore për mbylljen e sezonit është edhe marrëveshja e re televizive që ju garanton 20 milion euro më shumë në sezon, 103 nga 80 milion sa ishte deri këtë sezon. Një cikël i ri pritet të nis në futbollin belg, prandaj përfundimi i parakohshëm i sezonit nuk ka pasur ndonjë efekt a interes tek ekipet, sidomos kur është ditur kampioni i ligës. Edhe Skocia ka anuluar divizionet dytësore, me një trysni të jashtëzakonshme ndaj ekipeve rezistuese. E njëjta zor që do të ndodh me Premiershipin skocez.

UEFA

UEFA është qartazi kundër përfundimit të parakohshëm të kampionateve, dhe për këtë ka dhënë afat deri në fund të korrikut të mbyllen xhirot e mbetura. Pothuajse asnjë ligë nuk ka mbi 10 xhiro, që me matematikë të thjeshtë konvertohet në 5 javë futbolli aktiv. Pra, ligat mund të fillojnë në mes të qershorit, dhe përsëri të mbarojnë në afatin e përcaktuar të UEFA-s. Ndeshjet e mbetura të Ligës së Kampionëve dhe Europa League do të përfundojnë brenda

gushtit. Do të jetë e paqartë si do të planifikohen fazat kualifikuese për edicionin e radhës, por kjo pritet të shqyrtohet bashkë me planifikimin për ligat kombëtare.

Maji

Padyshim që gjermanët do të jenë të parët që do t’ia nisin. Liga me 18 ekipe, nënkupton katër xhiro më pak në krahasim me ligat tjera, dhe mbi të gjitha menaxhimi i pandemisë #COVID19 deri tani nga institucionet gjermane është një avantazh shtesë. Gjermanët tani janë duke stërvitur, dhe mund të rinisin kampionatin më 9 maj. Kjo datë mund të jetë kur ekipet në ligat tjera kryesore pritet të nisin stërvitjet më së fundi.

30 qershori

Kontratat sportive mbyllen me 30 qershor. Rrjedhimisht, shumë lojtarë do të mbesin pa

kontrata dhe kalimi në një ekip tjetër në mes të sezonit është pak e komplikuar, sidomos kur

sezoni në fjalë nuk ka përfunduar. Kjo më shumë ka të bëjë me ekipet e kategorive më të ulëta, si në rastin e EFL ku kemi ekipe që mbesin edhe pa 14 lojtarë kryesorë më 30 qershor. Pjesa jashtë fushës së blertë është e komplikuar tek këto ekipe të cilat burim të parë të hyrash kanë tifozët, të cilët nuk do të kthehen në tribuna për një kohë të gjatë.

Tribunat

Ndeshjet do të zhvillohen pa tifozë në tribuna së paku këtë vit. Parakusht shihet vaksinimi i tifozëve para se të kthehen në tribuna, dhe vaksina përkundër shumë testimeve pritet të vonohet edhe 12-18 muaj. Gjermanët kanë shkuar më tutje duke planifikuar lejimin e një numri të ultë të tifozëve në stadiume, më pak se njëmijë, rreth 200-300 fillimisht, të ndarë në disa pjesë të tribunave, por duket si plan zor i realizueshëm pasi të gjithë kemi vërejtur respektimin e masave të njerëzve gjatë këtyre ditëve.

Futbolli 2.0

Pa marrë parasysh sa titujt bombastik mund të theksojnë që ‘futbolli kurrë s’do të jetë i njëjtë’, futbolli do të kthehet ashtu siç ka qenë në jo më vonë se dy vite. Gjithmonë duhet të kemi parasysh që kjo varet nga vaksina kundër #COVID19, dhe mosparaqitja e ndonjë virusi

të ngjashëm në të ardhmen e afërt. Krejt kjo situatë është e përkohshme dhe sezoni i ri, 2021-2022 do të fillojë siç duhet, ndonëse ndërrimi në vit kalendarik tani është mundësi e shkëlqyeshme! Vera do të jetë e mbushur me futboll, ani pse mysafirët do të na mungojnë. Nejse, do të ju mungojnë edhe juve!

Shkruan: Luan Morina