Ish-futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Suad Sahiti e ka cilësuar Beogradin si “shtëpinë e tij”.

Anëtari i Wilsa Plock e ka dhënë një deklaratë interesante për mediumin polak “Pilkarskie Balkany”.

Ai ka befasuar të gjithë me përgjigjen në pyetjet se cila është “shtëpia e tij”.

“Beogradi është shtëpia ime. Unë kam lindur dhe jam rritur atje. Gjithashtu, kam familjen në Prishtinë. Nuk është e lehtë për mua. Unë jam larg nga ata që i dua, por duhet të mësohem të jetoj i vetëm”, u shpreh Sahiti.

Sahiti e ka pasaportën e Republikës së Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, shkruan “Zeri.info”.

“Kur kam luajtur në Maqedoni të Veriut, nga federata maqedonase më dërguan sinjale se më donin në ekipin nacional. Maqedonasit kishin një skuadër të mirë, dhe unë doja ta provoja këtë. Por, kam pasur një problem me dokumentacionin”, tregon më tej ai.

“Në kategoritë e reja, unë kam luajtur për Shqipërinë si dhe Maqedoninë e Veriut. Kështu e mora pasaportën e tyre, të cilën e përdori edhe sot”, shpjegon Sahiti.

Ai tregon se e flet mirë gjuhën serbe dhe se nuk i intereson aspak politika.

“Nuk më intereson aspak politika. Kam miq serb, kam miq shqiptarë. Unë nuk i dalloj njerëzit në atë mënyrë. I gjithë Ballkani është i bukur dhe me plotë njerëz fantastik. Kam familjen në Beograd dhe Prishtinë. 40 vjet më parë, në një shtet të përbashkët, nuk kishte incidente të mëdha. Nuk ka nevojë të përzihet politika. Shpresoj se të gjithë do të jetojnë në paqe”, theksoi Suad Sahiti.

Por, si e krahason Sahiti Beogradin me Prishtinën?

“Ne të gjithë e dimë se çfarë është Beogradi. Një qytet i madh, plot mundësi, ku është bukur të jetosh. Prishtina është më e vogël, por unë ndihem mirë aty. Jam kosovar. Kam shumë miq dhe flas gjuhën time”, përfundoi Sahiti.