Ka pasur fatin të përballet me yjet e futbollit botëror, si Lionel Messi, Ronaldinho, Leite Kaka, David Beckham, Sergio Aguero, Andrea Pirlo e shumë të tjerë. 

Bëhet fjalë për futbollistin nga Vlora e Shqipërisë, Franc Veliu, i cili që nga vera e vitit të shkuar është futbollist i Gjilanit, ekip që garon në Superligën e Kosovës.

Më 20 qershor të vitit 2011, Shqipëria luajti miqësoren me Argjentinën, të cilën e humbi me shifrat 4:0. 

Titullar në këtë përballje ishte edhe Veliu, që ndoshta e kishte edhe punën më të vështirë në karrierë. 

Ai do të duhej të ndalte yllin e Argjentinës, Messi.

“Të luash përballë Messit është ëndrra e kujtdo dhe e kam shijuar pafund. Messi ishte mbresëlënës, kështu që të dyluftoja me të ishte kënaqësi dhe emocion. Padyshim, ajo ndeshje hyn tek një nga momentet më të mira të karrierës sime”, tha Veliu për Kohën.