Trajneri i Kosovës Bernard Challandes, ditë më parë ka nënshkruar kontratën e re me Federatën e e Futbollit të Kosovës.

Me kontratën e re ai do të vazhdojë t’a drejtojë Kosovën të paktën deri në përfundimin e kualifikimeve në Botërorin Katar 2022.

Challandes ka treguar se kualifikimi në Kampionat Evropian, është një ëndërr.

“Të shkojmë në Evropian do të ishte si një ëndërr për ne”, tha Challandes për RTN.ch.

Për shkak të pandemisë COVID-19, Euro 2020 nuk u mbajt fare këtë verë dhe u shty për 2021, kurse Kosova ndeshjen me Maqedoninë e Veriut që ishte paraparë të luhet në mars të këtij viti tani do të luhet më 8 tetor.

Në rast se Kosova fiton atëherë do të përballet me fituesin e ndeshjes Bjellorusi-Gjeorgji që zhvillohet më 12 nëntor.