Me filim prej orës 21:00 luhet ndeshja e parë çerekfinale në Ligën e Kampionëve Atalanta-PSG.

Atalanta është skuadra e vetme italiane e mbetur në garë.

Trajneri Gian Piero Gasperini e ndjen të gjithë mbështetjen e vendit, duke e krahasuar skuadrën e tij me atë të kombëtares italiane.

 “E dimë që e gjithë Italia do të bëjë tifo për ne, dhe për ne kjo është diçka me të vërtetë e rëndësishme. Do të jemi një lloj kombëtareje dhe shpresojmë të bëjmë mirë. Ka adrenalinë të madhe. Luajmë në një stadium shumë të rëndësishëm, tempullin e Benficas dhe sa keq që nuk do të jenë tifozët”, tha trajneri.

Ai nuk mendon se fakti që PSG-ja nuk ka luajtur në kampionat pas ndërprerjes së sezonit i ka ndryshuar shumë gjërat për kampionët e Francës, siç e tregoi Lioni kundër Juventusit.

“Paraqitja e Lionit kundër Juves na bëri të kuptojmë se nuk ka diferencë të madhe mes atij që ka luajtur dhe atij që nuk e ka bërë. Nuk është shumë e sigurt se cila skuadër do të jetë në gjendje më të mirë fizike. Nuk mendoj se do të ketë avantazhe të mëdha në këtë drejtim për asnjë nga ekipet”, tha Gasperini.

“Na vjen keq që jemi i vetmi ekip italian që kemi mbetur. Mendonim se Juventusi kishte shanse të mëdha për të kaluar. Napoli luajti mirë kundër Barcelonës. Duhet të jenë të kënaqur, sepse bënë një ndeshje të madhe. Sigurisht që mungesa e Juventusit është më surprizuesja. Tani kemi mbetur ne dhe do të përpiqemi të luajmë mirë. Pushimet? Shpresoj t’i vonojmë sa më shumë që të jetë e mundur”, tha italiani.