Lirohet me kusht qendërmbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, pas incidentit të ndodhur në Mykonos.

Ky incident i kushtoi futbollistit të përfaqësueses angleze edhe mbajtjen për dy net në gjendje arresti në ishullin e famshëm grek.

Rrethanat mbeten ende shumë të paqarta, megjithatë kapiteni i “djajve të kuq” për momentin është lënë i lirë për t’u kthyer në atdhe, sidoqoftë me detyrim paraqitje, pasi gjyqi në vendin helen u shty për ditën e martë, kur do të zhvillohet edhe seanca e parë, në lidhje me çështjen e ngritur ndaj tij.

Vetë kapiteni i “red devils” preferoi të mos përgjigjet të shtunën paradite, kur u pyet nga gazetarët në momentin e largimit të tij nga dyert e gjykatës, ku u dërgua i shoqëruar për të dhënë dëshminë e tij. 27-vjeçari nga Shefieldi qëndroi i heshtur dhe refuzoi për t’iu përgjigjur pyetjeve të bëra nga ana e gazetarëve të pranishëm.

Qendërmbrojtësi shtatlartë preferoi në këtë mënyrë për të mos dhënë fare shpjegime, në lidhje me incidentin e ndodhur në një pub, në Ishullin Mykonos, ku pretendohet se ka patur një zënkë masive.

Harry Maguire u arrestua nga policia vendase pas një grindje që shpërtheu në orët e para të ditës së premte në atë lokal.

Mediat lokale kanë raportuar një zënkë në ishull, ndërmjet dy grupeve. Grindjet gjatë mbrëmjeve festive në këtë ishull të Egjeut janë diçka krejtësisht e zakonshme, megjithatë këtë herë lajmi bëri bujë për shkak të përfshirjes në një zënkë të tillë të vetë kapitenit të United dhe mbrojtësit të përfaqësueses së “tre luanëve”.