Sërish lajme negative për skuadrën e Lazios. Duke parë polemikat e ditëve të fundit që kanë përfshirë klubin për shkak të tamponëve për koronavirusin, stafi mjekësor ka vendosur që të bëjë sërish teste për disa futbollistë.

Këtë herë jo në laboratorin e tyre në Avelino, por në kampusin spitalor të Romës.

Nga testet e kryera ka rezultuar se tre futbollistë vazhdojnë të jenë ende të prekur me Koronavirus dhe laboratori ka për detyrë që ta komunikojë këtë gjë në institucionet shëndetësore lokale.

Duke lënë mënjanë Luis Alberton, i cili ka njoftuar që është negativ, tre lojtarët të cilët ende nuk e kanë kaluar virusin dhe janë konstatuar pozitivë, janë Immobile, Leiva dhe Strakosha, por edhe Anderson e Lazzari.

Këta dy të fundit janë “zhdukur” nga qarkullimi, por asnjëherë nuk janë konfirmuar pozitivë. Antenat dhe vëmendja është e përqendruar më shumë te tri rastet e mësipërme, të cilët janë pozitivë, por kanë luajtur në ndeshjen me Torinon.

Nw Itali ka dyshim se ndoshta Lacio, dhe jo vetëm me Strakoshën, Immobilen e Leivan, nuk i ka respektuar siç duhet protokollet për pozitivët, por edhe vlerësimi i tamponëve ndoshta nuk ka qenë ai i duhuri.

Nëse hetimi i nisur konfirmon se diçka e tillë ka qenë e vërtetë, atëherë klubi roman, sipas nenit 8 të protokollit sportiv, rrezikon nga gjoba te penalizimi me pikë në renditje, në zbritjen një kategori më poshtë e deri te përjashtimi i menjëhershëm nga kampionati që po luhet.