Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes ditë më parë publikoi listën e futbollistëve të ftuar për tri ndeshjet e “Dardanëve” për muajin nëntor.

Kosova fillimisht do ta zhvillojë një miqësore vëllazërore me Shqipërinë, derisa më pas do të luajë me Slloveninë dhe Moldavinë në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në listën e futbollistëve të ftuar nga Challandes nuk është parë ndonjë mungesë kruciale, por gjërat ndryshuan disa ditë më vonë.

Për shkak të situatës së rënduar me COVID-19 në Evropë, Werder Bremeni dhe St. Pauli nuk do t’i lejojnë Milot Rashicën, respektivisht Leart Paqaradën të grumbullohen me Kosovën në ndeshjet e nëntorit.

Mungesa e këtyre dy futbollistëve do të jetë mjaft e madhe për “Dardanët” në këto tri ndeshje.

Sahiti ka thënë se në ditët e ardhshme do të vendoset nëse dyshja në fjalë do të zëvendësohen.

“Nuk e kemi pritur një situatë të tillë. Lista e publikuar ditë më parë është me shumë futbollistë të ftuar”, deklaroi Sahiti të premten për “Zeri.info”.

“Do ta shohim në ditët në vijim nëse do t’i zëvendësojmë Milotin apo Paqaradën, apo mund të vazhdojmë edhe me këtë listë të mbetur”, tregoi krahu i djathtë i Bernard Challandesit.

Tutje, Sahiti ka deklaruar se Rashica është në situatë të keqe për shkak se nuk do të grumbullohet me Kosovën për këto tri ndeshje.

“Kam biseduar dje (e enjte) me Milotin dhe ai është në një situatë të keqe. Madje, ai ka edhe një konflikt me Werder Bremenin për këtë arsye. Ai dëshiron të vie për këto ndeshje me çdo kusht”, thotë Sahiti.

“Megjithatë, UEFA dhe FIFA u kanë dërguar letra klubeve se mund t’i ndalin lojtarët t’iu bashkohen Përfaqësueseve për shkak të situatës me pandemi”, përfundoi të premten Muharrem Sahiti.