Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka konfirmuar pesë normat olimpike të xhudistëve kosovarë për në Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Akil Gjakova (-73 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Majlinda Kelmendi (-52 kg), Nora Gjakova (-57 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg) do të përfaqësojnë vendin tonë me normë në LO Tokio 2020, të prirë nga trajneri Driton Kuka.

Distria ndodhet e para në renditjen olimpike të kategorisë së saj, Majlinda e pesta, Nora e pesta, Loriana e nënta, ndërsa Akili i 11-ti.

Pas një rrugëtimi katër-vjeçar, të gjithë xhudistët kishin siguruar më herët normën olimpike, kurse tani ato janë konfirmuar edhe zyrtarisht.

Krahas pesë normave të xhudos, Komiteti Olimpik i Kosovës ka edhe një normë të mundësit Egzon Shala, si dhe pesë ftesa tjera, të cilat qojnë në 11 numrin e sportistëve të Kosovës që do të marrin pjesë në Tokio 2020.

Procesi i kualifikimit dhe dërgimit të ndonjë ftese tjetër përfundon më 30 qershor 2021.

Lojërat Olimpike Tokio 2020, mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.