Paolo Di Canio, ish-lojtari i West Ham në Premier League, ka analizuar paraqitjen që Anglia bëri në ndeshjen me Skocinë dhe italiani ka rezerva për kombëtaren e “Tre Luanëve”, trajnerin Gareth Southgate dhe sulmuesin Harry Kane.

“Skocia bëri mirë duke marrë parasysh potencialin e tyre, por nuk na ka lënë mbresa të mira Anglia. Kanë shumë lojtarë të talentuar të mbledhur së bashku, por nuk kanë identitet, nuk bëjnë asnjë lëvizje, nuk bëjnë asnjë shpikje, nuk kanë kurajo për të bërë një pasim ku të kërkojnë hapësira.

Thjesht nuk është në ADN-në e tyre. Kur mesfushorët qendrorë nuk mund të luajnë topin, ata kanë nevojë ta bëjë Stone nga prapa. Ai nuk është Bonucci, por duhet ta provojë.

Nuk është vetëm çështje lojtarësh. Edhe trajneri duhet t’u thotë atyre që po bëjnë vrapime të gabuara në kohën e gabuar”, shprehet Di Canio për Sky Sport Italia.

“Harry Kane? E kam thënë për 3 muajt e fundit në Premier League dhe duhet të dini që e adhuroj Kane, por nuk më ka pëlqyer sjellja e tij. Ai nuk e vë zemrën në fushë, nuk i ndjek lojtarët poshtë.

Të gjithë e dinë se do të largohet nga Tottenham, por ajo sjellje vazhdon edhe në Europian. Mendoj se është më shumë çështje mendore, se sa fizike”, përfundon ish-sulmuesi.