Franca e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme Europianin, pasi ia doli të fitojë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Gjermanisë në “Allianz Arena” të Mynihut, derisa sot në orën 15:00 do të jetë mysafire e Hungarisë në Budapest, në ndeshjen e dytë të Grupit F.

Trajneri Didier Deschamps doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi maksimalisht ndeshjen e nesërme dhe theksoi se “gjelat” do të synojnë të sigurojnë sa më shpejt kualifikimin, pasi janë pjesë e një grupi të vështirë.

Ai foli edhe për Benjamin Pavard dhe Kylian Mbappe. Që të dy kanë pasur disa shqetësime, por tha se janë gati për ndeshjen e sotme.

Si është gjendja e Pavard dhe Mbappe?
Të dy janë shumë mirë dhe gati për ndeshjen e nesërme. Për Pavard ishim shqetësuar më shumë se duhet dhe më vjen mirë që nuk ishte asgjë serioze, ndaj është në dispozicion për nesër. Nuk ka probleme as për Mbappe, që është mjaft i rëndësishëm për ne, pasi ka aftësinë të diktojë ritmin e një ndeshjeje edhe i vetëm.