Belgjika eliminoi Portugalinë dhe pret Italinë. Mbetet për t’u parë se me çfarë çmimi, pas një ndeshjeje të fortë që mund të kushtojë me dëmtimet e Hazard dhe De Bruyne. E vetmja gjë e qartë është se belgët morën më të mirën ndaj një Portugalie që pati mangësi sidomos në fazën e finalizimit.

Paraqitje e vakët e Bernardo Silvës, që nuk ia doli të transformonte në gol lojën e krijuar. Dhe Roy Keane, që komenton ndeshjen, i ka idetë e qarta. Përgjegjësia për eliminimin nuk është e Cristiano Ronaldos, por e një tjetër talenti, Joao Felix, ndaj të cilit ish-mesfushori i United nuk kursehet.

“Belgjika u tregua e aftë ta kthente në një thesar golin e Hazard. Portugalia kërkoi pa dobi të gjente barazimin në pjesën e dytë. Ronaldo u impenjua shumë, por nuk kuptoj se cili ishte kontributi i Joao Felix. Çfarë bëri kur hyri? Ky djalë duhet të vlejë 130 milionë euro? Po ky është një mashtrues. Nëse vlen kaq shumë, kur gjuan drejt portës kundërshtare, duhet ta gjesh. Nëse do të isha në vend të Cristiano Ronaldos, tani do isha akoma duke e ndjekur me vrap në dhomat e zhveshjes”.

Belgjika nuk është se shkëlqeu, por diti të shfrytëzonte rastin. Dhe Keane përfiton për të hyrë në sparkatë edhe ndaj një tjetër futbollisti, që luajti një Europian poshtë pritshmërive, Bruno Fernandez.

“Belgjika luajti ashtu siç duhej dhe ruajti kompaktësinë. Portugalia pagoi mungesën e kualitetit në 30 metrat e fundit. Nuk ishin cinikë sa duhet. As Joao Felix dhe as Bruno Fernandes nuk ishin të aftë për të ndryshuar ndeshjen. Nuk influencuan lojën, nuk u liruan kurrë për të goditur”